Përtej gjuhës publike të zbutur ndjeshëm dhe falenderimeve të Kryeministrit për Presidentin, lufta institucionale mes palëve nuk ka përfunduar. Kreu i Shtetit e ka vijuar refuzimin qeverisë me dekrete.I fundit ishte ai për ligjin e njohur si anti-KÇK. Ndërsa mazhoranca një ditë më parë dha sinjalin se nuk është tërhequr nga shkarkimi i tij, duke shtyrë afatin e Komisionit Hetimor.

Situata e krijuar nga pandemia Covid-19, u duk se i uli tonet politike dhe riktheu marrëdhënien mes Presidentit dhe Qeverisë. Por Kreu i Shtetit, nuk është tërhequr nga lufta e tij me dekrete. 

Pasi firmosi në shesh para qytetarëve refuzimin ligjit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, presidenti Ilir Meta, refuzoi edhe ligjin e famshëm të njohur si anti-KÇK. Gjykata Kushtetetuese, edhe pse e lënë në heshtje këto ditë ku në karantinë nuk janë vetëm qytetarët por edhe politika, qëndron "si mollë sherri” mes këtyre dy institucioneve. 

Më herët Presidenti ka rrëzuar edhe dy ligje te rëndësishme, atë të statusit të gjytarëve dhe prokurorëve si dhe ligjin për “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. 

Duke qenë se vëmendja është përqendruar të situata e krijuar nga koronavirusi, kjo bëtejë institucionale ka kaluar në heshtje, kjo ndoshta e eklipsuar edhe nga falenderimet publike të Kryeministrit për Presidentin, i cili është në procedurë shkarkimi. 

Një ditë më parë Komisioni Hetimor për shkarkimin e Kreut të Shtetit u mblodh në mënyre virtuale, për të vendosur shtrjen e afatit, ndërsa presin opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias mbi mënyrën se si ai përzgjodhi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. 

Kjo situatë nuk parashikohet sa mund të zgjasë, po një gjë mund të thuhet me siguri: konflikti nuk është shuar, qëndron aty në pritje për tu rindezur.

/Ora News.tv/