Pandemia duket se ka zbutur raportet mes Kryeministrit dhe Presidentit. Pas miratimit në Kuvend të propozimeve të tij, kreu i shtetit Ilir Meta dekretoi të mërkurën ndryshimet në Kodin Penal, të cilat i konsideroi të domosdoshme. Meta kërkoi rritje të përgjegjshmërisë dhe transparencës nga qeveria.

Pas një beteje të gjatë me dekrete, duke se pranvera ka ndikuar në zbutjen e qëndrimeve mes presidentit dhe qeverisë.

Kreu i Shtetit dekretoi ndryshimet e kodit penal, ku pjesa thelbësore e tyre ishin propozim i tij. Ndryshimet parashikojnë deri në 8 vite burg për ata që përhapin sëmundje me vetëdije, ndërsa Presidenti tha se parashikimi ligjor i situatave të tilla ishte i domosdoshëm.

Ai nënvizoi se drafti final ka pasur një përmirësim të dukshëm pozitiv nga propozimi fillestar i qeverisë.

Presidenti theksoi se rritja e numrit të testimeve duhet të jetë "qëllim i vazhduar i qeverisë."

Ilir Meta: Kam dekretuar sot ndryshimet në Kodin Penal të miratuar nga Kuvendi. Shpallja e ligjit u vlerësua e nevojshme në situatën pandemike që po kalon vendi për arsye se kohëzgjatja, pasojat apo mundësia e ripërsëritjes së një situate të tillë mbeten ende të paparashikueshme për vendin tonë dhe mbarë botën.

Kam ndjekur me vëmendje shqetësimet e bëra publike nga aktorë të ndryshëm mbi propozimin dhe miratimin e ndryshimeve të kodit penal. Shmangia e procedurave të përshpejtuara në miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar nuk është vetëm kërkesa formale kushtetuese që duhet të respektohet ga komisionet e përhershme parlamentare dhe kuvendi. 

Përkundrazi është një kërkesë kushtetuese që në thelb kërkon kryerjen e ndryshimeve në ligjet më të rëndësishme me konsultim dhe konsensus të gjerë dhe shterues. Edhe institucioni i Presidentit të Republikës ju përgjigj kërkesës për bashkëpunim dhe konsensus nga ana e kuvendit dhe qeverisë për ndryshimet në kodin penal. Diskutimi i gjerë tekniko-juridik ka çuar në përmirësime thelbësore të produktit final të miratuar nga Kuvendi.

Nisur nga gjendja e fartkeqësisë natyrore në të cilën ndodhemi por mbi të gjitha për shkak të boshllëkut ligjor që ka kodi penal për sa i takon trajtimit të veprimeve që kryhen me dashje dhe qëllimit kriminal për hapjen  e sëmundjeve infektive, Presidenti vlerëson se iniciativa e Kuvendit dhe qeverisë që mbrojtja e shëndetit publik të garantohet edhe nga normat penale përpos atyre administrative duhet mbështetur.

Presidenti konstaton se mes draftit të propozuar fillimisht nga deputetët, atij të miratuar në komisionin e ligjeve dhe përmbajtjes finale të ligjit të miratuar në seancë plenare ka shumë ndryshime thelbësore pozitive që kanë reflektuar një pjesë të sugjerimeve të Avokatit të Popullit, shoqërisë civile, ekspertëve të së drejtës dhe institucionit të Presidencës që lidheshin veçanërisht me llojin dhe masën e dënimit penal në përputhje me parimin e ligjshmërisë dhe sigurisë juridike, qartësimin e veprimeve apo mosveprimeve që ngarkojnë me përgjegjësi penale aplikimin e sanksionit penal në mënyrë të përshkallëzuar vetëm pasi të jetë aplikuar më parë sanksioni administrativ, përcaktimin në mënyrë të qartë të përgjegjësisë penale në rastin e përhapjes së sëmundjes infektive të përfshirë në listën e sëmundjeve infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin sipas ligjit të posaçëm vetëm për veprime të kryera me dashje dhe nga personat e diagnostikuar si mbartës të saj.

Saktësimin e rrethit të subjekteve duke bërë që norma penale të aplikohet vetëm mbi personat që janë paralajëmruar më parë me një masë administrative për respektimin e masave, personat e diagnostikuar si mbartës apo persona të cilëve u është njoftuar detyrimi i zbatimit të urdhërimeve nga organet kompetente. Këto përmirësime thelbësore të dispozitave që kanë ulur dukshëm masat e dënimit respektojnë më shumë parimin e sigurisë juridike dhe proporcionalitetit.

Presidenti vlerëson se është e domosdoshme që para hyrjes në fuqi të këtyre dispozitave të reja në kodin penal, Ministria e Shëndetësisë, Komiteti i Ekspertëve dhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile të vlerësojnë plotësimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor që lidhet drejtëprdrejtë me aplikimin e legjislacionit penal si dhe përcaktimin e qartë dhe shterues sipas ligjit të listës së sëmundjeve infektive të rrezikshme .

Ilir Meta: Të gjitha kufizimet, masat e veçanta apo rregullat, shkelja e të cilave sjell sanksione administrative e më pas penale të nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë duhet ti nënshtrohen një fushatë të gjerë e të vazhdueshme informimi publik përpos detyrimit të publikimit brenda afateve në Fletoren Zyrtare.


/Ora News.tv/