Sinani paralajmëron Portugalinë: Ju tregoj pikën e fortë të Shqipërisë

Sinani paralajmëron Portugalinë: Ju tregoj pikën e fortë

Trajneri i Kombëtares shqiptare të femrave, Vioresin Sinani, ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp dhe ka folur për ndeshjen që vajzat kuqezi do të luajnë kundër Portugalisë në “Elbasan Arena”, ditën e premte më datë 4 Shtator, në orën 18:00.

“Jemi grumbulluar për ndeshjet e radhës me Portugalinë dhe Finlandën. Janë dy skuadra të forta, skuadra elite të futbollit të femrave. Kemi dy ditë që stërvitemi normalisht dhe po bëhemi gati t’i përgjigjemi me të mirën Portugalisë. Jam i bindur se do paraqitemi mirë, dhe do kërkojmë të marrim rezultat pozitiv. Do bëjmë maksimumin në këto dy ndeshje. Jemi në një grup të fortë por jam i bindur se me vajzat do të bëjmë një punë shumë të mirë këto dy ndeshje”. Trajneri Sinani e ka të qartë që skuadra e tij duhet të tregojë shpirtin e lartë të garës ndaj Portugalisë.

“Pika më e fortë është kolektiviteti. Jemi një grup i mirë, me vajza që luajnë në Shqipëri, Kosovë dhe jashtë. Punojmë me dëshirë dhe luftojnë së bashku. Kjo është e vetmja armë me të cilën mund t’u përgjigjemi. Ne nuk kemi kualitetet e atyre, vetëm me shpirt gare mund t’i përballojmë. Portugalia është një skuadër teknike, që luan mirë me topin, bëjnë një futboll të bukur, por siç e theksova edhe më parë, ne do të vendosim shpirtin në fushën e lojës.

"Kjo arma më e fortë e jona në krahasim me çdo kundërshtar. Lufta sportive është arma jonë dhe vajzat e grumbulluara japin në çdo ndeshje 100% e tyre. Jam i bindur se do dalim mirë. Kemi marrë elementet më të mira të mundshme. Do luajmë të ngjeshur në mesfushë dhe me kundërsulme do tentojmë të kapim ekipet kundërshtare në befasi. Jam optimist që do të bëjmë mirë. Ka vend për prurje të reja, por jemi më të kufizuar te femrat. Besoj se janë më të mirat”, shtoi Vioresin Sinani.

Në fund ai kërkon që të ketë edhe mbështetjen e tifozëve dhe është i sigurt që shqiptarët do i përgjigjen ftesës së tij. “I bëj thirrje gjithë popullit të Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë, që të vijnë t’i mbështesin vajzat. Ato kanë nevojë dhe besoj se do na mbështesin”, deklaroi trajneri Sinani.

EMISIONET