Ajo që gjendej nën batanije në dhomën e gjumit dukej një nga ato mjetet për të bërë stërvitje në shtëpi, por kur karabinierët hoqën batanijen, zbuluan një mjet hidraulik që përdoret për mbushje me vakum.

U kuptua kështu që banesa në provincën e Osio Sotto, ishte në fakt një laborator për paketimin e drogës dhe furnizimin e dyqanit në Val Camonica, shkruan "Ansa" pas operacionit ku u arrestuan disa shqiptarë, në banesën e të cilëve u gjetën 12.5 kg heroinë.

Vlera e drogës sipas gazetës, kap shifrën e 400 mijë eurove. Sipas policisë, laboratori i drogës ishte në pronësi të dy shqiptarëve, Agim Bejko, 69 vjeç, dhe djalit të tij, Enkelejd, 44 vjeç, të dy të arrestuar tashmë.

Operacioni u zhvillua të premten e shkuar mes orës 21:00 të mbrëmjes dhe orës 08:30 të mëngjesit të ditës pasardhëse.

Në pranga përfunduan 9 persona, pesë shqiptarë dhe katër italianë, të gjitha nga Brescia.

"Ansa" shkruan se trafiku menaxhohej sipas hetuesve, nga Saimir Sallaku, 44 vjeç, i njohur për policinë. "Ansa" shkruan se 44 vjeçari është vëllai i biznesmenit shqiptar në Itali, si dhe pronar i klubit italian të futbollit “Darfo Boario Calcio”, Gëzim Sallaku.

Duke marrë informacione për një sasi të madhe droge të premten, policia u vendos përpara një depoje në zonën industriale të Pian Camuno. Në fund të mbrëmjes, mbërriti një makinë.

Babai dhe djali shqiptar me një bashkëpunëtor nga Milanoja, kanë dorëzuar 1 kg e 40 gram kokainë tek Sallaku. Ai më pas, mbërriti me një makinë tjetër për të kaluar drogën tek dy italianë nga Brescia, një 73 vjeçar dhe një 37 vjeçar në këmbim të 41 mijë eurove.

Në këtë pikë, dhjetë karabinierë të stacionuar rreth e qark u nisën aksionin duke arrestuar 6 burrat. Pas kontrolleve në makinë, u gjetën edhe 26 mijë euro në një ndarje të posaçme në pjesën ndarëse të dyerve.

Hetimet u zgjeruan menjëherë. 40 policë zhvilluan kontrolle të banesave të personave të arrestuar.

Në një garazh në Piancogno e gjetën 10 kilogram marihuanë, duke arrestuar dy burra. Në objektin e Osio Soto u gjet pronarja Drita Selimaj, 68 vjeç (e cila u arrestua dhe më pas vendos nën arrest shtëpiak).

Këtu u gjet mjeti hidraulik që u përdor për të paketuar drogën.

Më shumë heroinë, 50 gram kokainë dhe madje gjysmë kilogramë opium.

/Ora News.tv/