Shqiptarët tremben nga koronavirusi, ekspertët: E justifikuar pas tërmetit

Shqiptarët tremben nga koronavirusi, ekspertët: E justifikuar pas

Boshatisja e farmacive dhe frika e ngjallur te shqiptarët për shkak të koronavirusit, është e justifikuar pas asaj që ndodhi më 26 nëntor. Mjekja psikiatre, Arjana Rreli, shprehet se kërkesat për ndihmë janë dyfishuar, kryesisht nga moshat nga 20 deri në 50 vjeç.

Edhe pse pa asnjë rast të konfirmuar, qytetarët shqiptarë janë frikësuar nga shfaqja e koronavirusit.

Megjithatë, mjekja psikiatre Arjana Rreli, thotë se të gjithë ndjesitë e ankthit apo frikës janë të justifikuara, duke patur parasysh tërmetin e 26 nëntorit.

Arjana Rreli: Ky paniku i koronavirusit ka qenë pika që ka derdhur gotën e mbushur më parë. Duket sikur tani është ankthi në nivel më të lartë, por nuk është gjë tjetër veçse çfarë ka sjellë si pasojë trauma e tërmetit. 

Vizitat te specialistët e shëndetit mendor janë dyfishuar, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kryesisht nga moshat aktive.

Arjana Rreli: Grupmoshat 20-50 vjeç janë ata që tashmë i dinë përgjegjësitë e tyre për çfarë marrin përsipër të bëjnë dhe sa ky stres i pengon për ta bërë në më të mirën e vet aktivitetin e përditshëm. 

Rreli këshillon që situata të përballohet me qetësi, aktivitet fizik dhe besim te institucionet, pasi sipas saj paniku dhe ankthi nuk ndihmon askënd.

EMISIONET