Shqipëria merr drejtimin e OSBE-së në vitin 2020

Shqipëria do të kryesojë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në vitin 2020.

Kërkesa disa vjeçare e vendit tonë ka marrë dritën jeshile këtë të mërkurë. Nga 1 janari 2019 Shqipëria bëhet pjesë e Trojkës.

Lajmi bëhet i ditur në faqen e Twitter-t të Italisë, kryesuesja e radhës e Organizatës.

Kandidatura e Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së u bë e ditur pak muaj më parë nga kryeministri Edi Rama, në përfundim të takimit që ai pati në Tiranë me ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas, ndërsa kërkoi mbështetjen e Berlinit. Sipas kryeministrit Rama diçka e tillë do të ishte “një kontribut edhe në funksion të dinamikave në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe procesit të integrimit të tij europian, si dhe një nxitje jo vetëm për Shqipërinë por dhe vetë rajonin”. Vetë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ndërmori një fushatë lobimi për të siguruar mbështetjen e vendeve anëtare.


Vendimi është përshëndetur edhe nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca.

“Ambasada e BE në Shqipëri mirëpret vendimin për miratimin e kandidaturës së Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së. Presim me padurim t’i japim mbështetjen tonë Shqipërisë edhe për këtë rol të rëndësishëm”, shkruan ambasadori i BE.

EMISIONET