Emigranti shqiptar Gani Xheka mori nënshtetësinë greke në shenjë mirënjohjeje për ndihmën dhe sakrificën e treguar gjatë zjarrit që ra në Atikën Lindore korrikun e vitit 2018. Presidenti helen Prokopis Pavlopulos vlerësoi gjatë ceremonisë vetëmohimin që tre emigrantët treguan për të shpëtuar nga zjarret vrastare dhjetëra jetë njerëzish, ndërsa nuk harroi të shigjetonte partnerët e BE-së.

Tre peshkatarë të huaj, mes tyre emigranti shqiptar 35-vjeçar, Gani Xheka, morën nënshtetësinë greke në shenjë mirënjohjeje për ndihmën dhe sakrificën vetëmohuese që treguan për të ndihmuar viktimat e zjarrit që ra në Atikën Lindore në korrikun e vitit 2018.

Ata u pritën në Pallatin Presidencial nga presidenti grek Prokopis Pavlopulos. Duke iu drejtuar tre peshkatarëve dhe të pranishmëve të tjerë, Pvalopulos tha se i gjithë kombi u është borxh për sakrificën e bërë.

Prokopis Pavlopulos: “Nëpërmjet shembullit tuaj dhe me dhënien e shtetësisë, dërgojmë mesazhe që janë aq të nevojshme sot. Ajo që bëtë tregon se solidariteti dhe humanizmi nuk është vetëm një çështje e nënshtetësisë. Ju jeni tani dhe europianë dhe si të tillë, mund t’i mësoni ata partnerë që nuk i kuptojnë vlerat e Europës, që t’i kryejnë detyrat e tyre. Sepse themeli i BE-së është solidariteti”.

Presidenti Pavlopulos e përdori ceremoninë për të shigjetuar partnerët e Bashkimit Europian, të cilët Greqia i kritikoi vazhdimisht për mungesën e solidaritetit dhe dhënien e ndihmës së nevojshme gjatë ditëve të tragjedisë.

Zjarri që shkrumboi fshatin Mati ra në Atikën Lindore në korrikun e vitit 2018. Ai ishte më i madhi dhe me pasojat më fatale, pasi u mori jetën 96 vetave.




/Ora News.tv/