Kapen me heroinë dhe kanabis gati për tu shitur në Tiranë

Kapen me heroinë dhe kanabis gati për tu shitur në Tiranë

Katër shpërndarës heroine dhe kanabisi në kryeqytet janë arrestuar me  doza heroine dhe kanabis gati për tu shitur. Operacioni u kodua "Qelqi" dhe policia thotë se shpërndarësit lëviznin me makina me qera me qëllim që ti shmangeshin arrestimit.

Policia sekuestroi 1 kilogramë e 251 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe 19 doza të dyshuara Heroinë dhe arrestoi në flagrancë shtetasit me iniciale:

-E. Xh., 26 vjeç, banues në Tiranë

-S. D., 24 vjeç, banues në Tiranë

-A. B., 24 vjeç, banues në Tiranë

"Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin këto tre shtetas udhëtonin, policia gjeti një sasi prej 1 kilogramë e 251 gramë Cannabis Sativa.

Këta shtetas kishin si qëllim nxjerrjen dhe shitjen e lëndës narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit. Ata udhëtonin me automjet të marrë me qera për të shmangur dyshimet e policisë."-raportoi sot policia e Tiranës.

Në prangat e uniformave blu ra edhe 55-vjeçari me iniciale B. V., banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.

"Policia dispononte informacione se ky shtetas merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike të drogërave të forta, kryesisht heroinë në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe rrugës së “Qelqit”. Lëndën narkotike ky shtetas e siguronte nga persona të tjerë, për të cilët vijon puna për kapjen e tyre,"-raporton policia.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

(Ne foto: Droga e sekuestruar) 





EMISIONET