Presidenti i Republikës Ilir Meta në intervistën për emisionin “Tempora” në RTV Ora i quajti gënjeshta banale deklarimet e ministres së Dresjtësisë, Etilda Gjonaj një javë më parë.

Gjonaj shprehej një javë më parë se presidenti kishte bllokuar shortin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për dy vite me radhë 2017- 2018.

Pjesë nga intervista: 

Ilir Meta: Më duket krejt absurde që të merrem me gënjeshtra kaq banale

Sonila Meço: Është ministrja e Drejtësisë.

Ilir Meta: Gënjeshtra kaq banale pasi mund t’ju vë në dispozicion letrën publike që unë i kam dërguar në postin e Presidentit ambasadores së Bashkimit Europian dhe EURALIUS-it, ku pikërisht duke treguar vullnetin tim për të hedhur shortin për KED-në si President, i kam bërë të qartë se këtu ka disa probleme, që ne duhet të takoheshim që në fillim të nëntorit, që t’i zgjidhim. Duke pasur parasysh përse dështoi KED-ja e një viti më parë ku unë përsëri e hodha shortin si kryetar i Kuvendit dhe dihet ajo, se është sqaruar se kush e eliminoi. Dhe ky takim është bërë. Unë kam shprehur vullnetin për të hedhur shortin, por para se të hidhnim shortin, duhet të bënim takime me të gjithë drejtuesit e institucioneve: me kryetarin e Kuvendit, me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, me përfaqësuesit e Prokurorisë dhe të gjithë institucionet që kanë të drejtë të propozojnë në KED, në mënyrë që të evitonim debatet se jo ky institucion i ka respektuar kriteret sipas Kushtetutës, sipas ligjit, jo ky nuk i ka respektuar, sepse kuptohet që Presidenti i Republikës është një institucion, i cili çdo detyrë duhet ta përmbushë me shumë përgjegjësi dhe larg kontestimeve apo debateve që krijojnë probleme. Situata ka qenë ekstra...

Sonila Meço: Vakancat?

Ilir Meta: Situata ka qenë ekstra ligjore. Siç gënjen për këtë gënjen edhe për të gjitha. Ky takim është kërkuar nga unë. Hera e parë ndoshta, që është kërkuar nga përfaqësuesi i një institucioni shtetëror dhe ky është institucioni më i lartë, një konsultë. I është kërkuar zyrtarisht Delegacionit të Komisionit Europian këtu. I është kërkuar zyrtarisht EURALIUS-it. Qëllimi ka qenë për të parandaluar bllokimin e KED-së dhe krijimin e kontestimeve. Një ditë përpara se ky takim të bëhej, EURALIUS-i që kishte punë me stafin tim dhe kishim rënë dakord dhe ndanim të njëjtat pikëpamje, e ka anuluar pjesëmarrjen. Atëhere çfarë do të bëja unë? Do të hidhja një short që të fillonin prapë debatet midis përfaqësuesve të PD-së dhe atyre të PS-së? Unë atëhere bëra menjëherë një letër për kryetarin e Kuvendit. Për dijeni edhe për Bashkimin Europian, edhe për ambasadën e Shteteve të Bashkuara, edhe për misionet e tyre...

Sonila Meço: Cili qe reagimi?

Ilir Meta: Jua jap unë të gjitha dokumentet.

Sonila Meço: Shkurt.

Ilir Meta: U kam thënë që duke pasur parasysh këtë situatë, ju lutem shortin po ua kaloj juve pasi situata është e tillë dhe ju jeni organi, i cili mund të bëjë interpretimin më të mirë edhe të Kushtetutës, edhe të legjilacionit.

Sonila Meço: Cili institucion mund ta bënte këtë?

Ilir Meta: Kuvendi.

Sonila Meço: Dhe cila qe përgjigja?

Ilir Meta: Përgjigja ishte se mund të bllokohej përsëri KED-ja. Mund t’ireferoheni postimit që kam bërë...

Gazetarja: Po, deklaratës së zotit Ulsi Manja.

Presidenti Meta: Jo, e keni në Facebook. Shikojeni!

Gazetarja: Po, deklaratën e zotit Rama dhe atë të zotit Manja.

Presidenti Meta: Po, shikojini të gjitha!

Gazetarja: Po ndërkombëtarët? Ju thoni që u keni dërguar letër për këtë arsye se përse ju nuk e hidhnit shortin, si dhe pse e dërgonit këtë kompetencë në institucionin e Kuvendit.

Presidenti Meta: Sepse në qoftë se unë do ta ushtroja...

Gazetarja: Cila qe përgjigja e ndërkombëtarëve? Më intereson. Ju ka ardhur përgjigje për këtë gjë?

Presidenti Meta: Po përgjigja dihet: U mbyll telefoni, morën porosi politike. Tani ata mision teknik janë, çfarë do të bëjnë ata të shkretët?! Dikush do të firmosë për lekët që ata marrin këtu!

Gazetarja: Ju e keni të gjithë dokumentacionin?

Presidenti Meta: Nuk jam unë që firmos për këtë gjë.

Gazetarja: Më falni zoti Meta, a e keni të gjithë dokumentacionin?

Presidenti Meta: Po patjetër!

Gazetarja: E letrave dërguar ndërkombëtarëve për pamundësinë tuaj të hedhjes së shortit?

Presidenti Meta: I kam unë të gjitha.

Gazetarja: ...dhe delegimit të kësaj kompetence në Kuvend, sepse parashikohet ose Presidenti, ose Kuvendi. Dy janë institucionet.

Presidenti Meta: I kam të gjitha letrat, sepse unë për çështjet e shtetit punoj me shumë përgjegjshmëri dhe me shumë seriozitet. I kam të gjitha letrat, edhe përpara reformës, edhe me ambasadën amerikane, edhe me atë të Bashkimit Europian. Çdo gjë është e dokumentuar. Përgjegjësia ime gjithmonë ka qenë maksimale dhe për fat të keq, aktorët e tjerë kanë përgjegjësitë e tyre në lidhje me këtë situatë ku ne jemi sot. Me këtë situatë të reformës, që nga reformë e kemi kthyer në një “Ramaformë”.

Gazetarja: Kur u bë “Ramaformë”? Kur u bë?

Presidenti Meta: U bë ajo që kur shkelën të gjitha afatet kushtetuese, një. Që kur u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm me 69 vota. Ma gjeni në Kushtetutë Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm?! Ma gjeni këtu?

Gazetarja: Ju keni dëgjuar...? Nuk e gjej dot. Unë e di që edhe këshillimi për këtë arsye është bërë.

Presidenti Meta: Një javë, duke kuptuar këto lojërat, të cilat nuk janë të mira dhe i sjellin kaq pasoja vendit, këtu kam qenë me Presidentin e Malit të Zi në vizitë zyrtare. Shikojeni se i keni kronikat dhe kam thënë: Lidhur me çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, i ftoj palët që të fillojnë dialogun për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm sipas standardeve dhe në frymën e Kushtetutës. Se cilat ishin standardet dhe se cila ishte fryma e Kushtetutës, besoj se mund ta gjeni në ndonjë kushtetutë tjetër, por jo në këtë Kushtetutë të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë më 21-22 korrik me 140 vota dhe që u firmos pas votimit nga unë. Dhe ishte kushtetutë e bërë me Komisionin e Venecias, ishte kushtetutë e bërë me amerikanët, ishte kushtetutë e bërë me europianët.


/Ora News.tv/