Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar në lidhje me shoqërimin e bërë nga policia ndaj gazetarit Elvis Hila i cili punon edhe për Ora News. Hila u shoqërua ditën e djeshme (17 qershor 2020), pasi po filmonte përplasjet e policisë me pronarët e objekteve që po shembeshin në Lezhë.

Përmes një postimi në Facbeook, Meta tha se dënon me forcë rastet e përsëritura të dhunës, shantazhit dhe kërcënimit policor mbi gazetarët në krye të detyrës.

Duke shprehur solidaritetin e plotë me gazetarin Hila, Meta inkurajon të gjithë gazetarët t’i shërbejnë me guxim, kurajo e profesionalizëm dhe transparencë informimit publik, bazuar vetëm mbi faktet dhe të vërtetat.

Gjithashtu, presidenti apelon zbardhjen e plotë dhe hetimin me përgjegjshmëri maksimale të kësaj ngjarjeje dhe ndëshkimin pa hezitim të autorëve të këtij akti.

Postimi i plotë

''Dënoj me forcë rastet e përsëritura të dhunës, shantazhit dhe kërcënimit policor mbi gazetarët në krye të detyrës, siç është edhe rasti i fundit i shoqërimit pa asnjë shkak të justifikuar ligjor të gazetarit z.Elvis Hila, i cili po raportonte për aksionin e IKMT në Shëngjin.

Duke shprehur solidaritetin e plotë me z.Hila, inkurajoj të gjithë gazetarët t’i shërbejnë me guxim, kurajo e profesionalizëm dhe transparencë informimit publik, bazuar vetëm mbi faktet dhe të vërtetat.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit të tregojë profesionalizëm, të respektojë ligjin, lirinë dhe të drejtat e gazetarëve dhe të distancohet nga praktikat abuzive që na kthejnë pas në kohët më të errëta të dhunimit të të drejtave të njeriut, që e dëmtojnë rëndë imazhin e saj dhe të Shqipërisë.

Apeloj zbardhjen e plotë dhe hetimin me përgjegjshmëri maksimale të kësaj ngjarjeje dhe ndëshkimin pa hezitim të autorëve të këtij akti, si dhe të gjithë atyre që në mënyrë të përsëritur frymëzojnë dhunën, shantazhet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.''

Si ndodhi shoqërimi i gazetarit Elvis Hila

Gazetari Elvis Hila i cili punon edhe për Ora News u shoqërua nga policia pasi po filmonte perplasjet e policisë me pronaret e objekteve që po shembeshin në Lezhë pasditen e djeshme (17 qershor).

Shefi i Rendit në komisariatin e Lezhës, Agron Qullhaj i ka marrë forcërisht telefonin dhe më pas e shoqëroi në makinën e policisë. E gjithë skena u filmua nga një koleg po gazetar që ndodhej aty. Pas trysnisë se kolegëve, forcat e plosicë u detyruan ta lironin.

"Incidenti me policinë, teksa po raportoja për aksionin e IKMT-së në Shëngjin, kishte për qëllim pengimin e pasqyrimit te se vertetes. Por ju garantoj se veprime të tilla më bëjnë më të fortë, në përmbushje të misionit tim si gazetar" tha gazetari Hila dhe falenderon të gjithë kolegët dhe miqtë për mbështetjen.


/Ora News.tv/