Foshnja siriane 1 vjeç e gjysmë, Iman Ahmed Leyla që mbetur pa shtëpi për shkak të sulmeve të regjimit të Asadit dhe mbështetësve të tij në Siri ka vdekur me sytë hapur nga i ftohti në një kamp në kufi me Turqinë ku ajo ishte strehuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Foshnja Iman u dërgua dje në mëngjes në spitalin Şifa në rajonin Afrin të Sirisë nga familja e saj e cila pas migrimit nga Idlibi qëndronte në një barakë pa xhama në territorin e strehimit të përkohshëm në jugperëndim të Afrinit.

Por, pas mbërritjes së vogëlushes 1.5 vjeçare në spital u kuptua se zemra e saj kishte ndaluar së rrahuri.

Mësohet se familja në vitin 2018 migroi drejt Idlibit nga rajoni i Gutës Lindore të kryeqytetit sirian Damask pas evakuimit të kryer si pasojë e sulmeve të Rusisë dhe regjimit. Për shkak të bombardimeve, familja ndërroi vendin disa herë dhe u largua në pjesën periferike të Afrinit në afërsi të kufirit Siri-Turqi.

/Ora News.tv/