Presidenti Ilir Meta priti sot në zyrë dy qytetarët nga Kavaja, që me guximin e tyre, neutralizuan 31-vjeçarin Fitim Baboçi pa shkaktuar një masakër me kallashnikov.

Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur  Rexhep Tare, pronar i një lokali në zonë që ishte dhe objektiv i sulmit.

Meta: Kënaqësi e veçantë të takoja sot dy qytetarë të mrekullueshëm të Kavajës, z.Ymer Xhafa dhe z.Bajram Shala, të cilët dy ditë më parë rrezikuan jetën e tyre për të neutralizuar një shtetas të armatosur në qendër të qytetit, i cili plagosi një shtetas tjetër, ngjarje që mund të kthehej në një tragjedi të madhe.I falenderova përzemërsisht për aktin e tyre të lartë qytetar, në mbrojtje të jetës, paqes sociale dhe sigurisë publike.Shembuj të tillë frymëzues i duhen mbarë shoqërisë tonë, për të qëndruar larg konflikteve, dhe për të reaguar kundër dhunës, krimit por dhe indiferencës, që rrezikon jetën, pronën e sigurinë qytetare.

Ymer Xhafa, ish-punonjësi i policisë, ishte i pari që mori kurajon të ndërhynte, duke i hequr kallashnikovin nga dora 31 vjeçarit Baboçi, i ndihmuar dhe nga përvoja 27-vjeçare si polic.

Më pas është afruar dhe shoku i tij, Bajram Shala, i cili i ka hedhur krehërin e automatikut dhe më pas automatikun nga duart dhe kanë pritur aty duke e neutralizuar këtë person, deri në ardhjen e policisë.

“Dëgjova krisma armësh, pashë një person, që nuk e njihja, me armë dhe një grumbull njerëzish. Nuk mund të rrija indiferent, ai më ktheu shpinën. I dola nga mbrapa, i neutralizova armën dhe e mbajta, bashkë me shokun tim, edhe ai ish-oficer. Mund të ndodhte katastrofë, autori nuk reagoi. Jemi njerëz mbi të gjitha, ne jemi për të mirën. Ishte rastësia. Nuk pata frikë. Nuk reagoi edhe u neutralizua. I dhamë ujë dhe pastaj erdhi policia" deklaroi Xhafa pas ngjarjes.

Ngjarja ndodhi me 24 shtator. Autori dhe i plagosuri kishin njohje me njëri-tjetrin pasi ishin nga e njëjta zonë.

Shkaqet e plagosjes janë ende nën hetim, por dyshimet janë se ata kishin një koflikt të mëparshëm që përshkallëzoi në përdorimin e automatikut në mes të Kavajës.

/Ora News.tv/