Shkon në 77 mijë numri i pemëve të mbjella, tenori Saimir Pirgu i bashkohet nismës

Shkon në 77 mijë numri i pemëve të mbjella, tenori Saimir

Mbjellja e pemëve të reja në kryeqytet ka shkuar në mbi 77 mijë. Bashkia e Tiranës vijoi aksionin me mbjelljen e 500 pemëve të reja te mbikalimi i Saukut, një njësinë e Farkës. Këtij aksioni që është shtirë në të gjithë qytetin, edhe nëpër lagje, iu bashkua një mik i veçantë i qytetit, si tenori shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu, i cili së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbollën fidanët e rinj.

“Sot kemi një mik special, që na është bashkuar në fushatën e mbjelljes së pemëve, tenori ynë më i famshëm, Saimir Pirgu. Një shok dhe qytetar i mirë. Besoj fort se një artist i mirë, është edhe qytetar i mirë. Të jam shumë mirënjohës, edhe në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës, për kontributin tënd shumë të çmuar, duke na dhënë gjënë që ka më shumë vlerë për ty, që është koha jote”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se objektivi për të arritur shifrën rekord prej 100 mijë pemësh të reja deri në 21 mars është i arritshëm. Veliaj shtoi se për çdo datë të shënuar, do të ketë aksione të mëdha mbarëqytetare, që do të kulmojnë me aksionin e 21 marsit, që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve. 

“Jemi në një fazë ku sapo kemi kaluar 77 mijë pemë në Tiranë, jemi shumë pranë qëllimit tonë final,  100 mijë pemë në të gjithë territorin e Tiranës për këtë stinë mbjelljesh. Sigurisht, e filluam mbarë vitin me mbjelljet, vijuam në “Ditën e Skënderbeut” me 550 ullinj. Ndërkohë, do të vazhdojmë me të gjithë datat e shënuara, me 14 shkurtin, Ditën e të Dashuruarve, për 7-8 Marsin, ditën e Mësuesve dhe të Nënës. Pastaj, në 21 mars do të kemi një finale të madhe, për të kapur targetin tonë të 100 mijë pemëve”, theksoi Veliaj.

Tenori i njohur shqiptar, Saimir Pirgu vlerësoi nismën e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet, e cila do t’u shërbejë brezave të ardhshëm. “Një ditë ndryshe. Mbillet një pemë, një fidan, mbillet një e ardhme. Është me të vërtetë një gjë e bukur dhe e veçantë dhe unë jam i kënaqur për këtë”, tha Pirgu.

Në këtë nismë, kryebashkiaku kërkoi kontributin e të gjithë qytetarëve të Tiranës, duke theksuar se ajo që bëjmë sot, është paja më e mirë për qytetin nesër. “Unë besoj që në një qytet, të gjithë japin atë që munden. Dikush jep pemë, dikush pak kohë, dikush një ide. Një qytet bëhet i mirë, kur secili jep kontributin e vet. Ndaj, jam pafundësisht mirënjohës për të gjithë donatorët. Do të doja që t’i bëja thirrje të gjithë qytetarëve, secili prej nesh mund të gjejë gjysmë ore për të mbjellë një fidan, për t’i lënë një pajë qytetit, që edhe kur të mos jemi ne, por të jetë një gjeneratë tjetër, të kemi mundësi ta kthejmë kokën mbrapa dhe të themi: Lamë një shenjë në qytetin tonë. Besoj që, siç e kemi nisur, ditët më të mira për Tiranën janë përpara”, deklaroi Veliaj.

EMISIONET