Aksident i rëndë në Shkodër, fëmija 5 vjeç i "fluturon" babait nga makina

Aksident i rëndë në Shkodër, fëmija 5 vjeç i

Një fëmijë i moshës 5-vjeçare ka rënë nga xhami i automjetit ku po udhëtonte me babain e tij.

Ngjarja e rëndë u shënua rrugës së fshatit Bardhaj, ku 5 vjeçari S. Kurtaj përfundoi në rrugë, ndërsa babai i tij Hilmi Kurtaj vijoi udhëtimin, duke mos dalluar mungesën e djalit.

"Me datë 26.12.2019 në ora 17.25, shtetasi H. K. 50 vjec, po udhëtonte me mjetin e tij në lagjen “Skenderbeg”, ku kishte 4 femijët e tij, i ka rënë aksidentalisht nga mjeti fëmija, S. K. 5 vjeç, i cili po trajtohet në Spitalin Rajonal Shkodër" njofton policia.

Ka qenë drejtuesi i një mjeti të rastit që ka parë fëmijën përtokë dhe ka ndaluar duke i dhënë ndihmën e parë, duke e dërguar në spitalin rajonal Shkodër.

Më vonë babai ka mbërritur në spital ku ka dhënë edhe dëshminë e tij, duke treguar se nuk e ka vënë re që fëmija ka rënë nga mjeti, pasi brenda ndodheshin edhe 3 fëmijët e tjerë.

Mjekët e vlerësojnë të rëndë gjendjen shëndetësore, ku fëmija ndodhet nën kujdes intensiv në Reanimacion.

Ai ka plagë në kokë dhe vështirësi në rrugët e frymëmarrjes.

"Gjendja e fëmijës është e rëndë pas një traume të pësuar. Erdhi në urgjencë pa koshiencë. Ishte gjetur nga qytetarë në rrugë, pa identitet. Kishte plagë në pjesën e pasme të kokës, me çrregullime të frymëmarrjes. Ju dha ndihma e shpejtë. Gjendja pësoi një farë përmirësimi. Fëmija është në Reanimacion. Më pas është paraqitur i ati, që sipas referimeve të tij rezulton se fëmija ka rënë nga dritarja e makinës dhe ka pësuar dëmtimet që pamë. Është herët të flasim, shpresojmë për më mirë" tha mjeku Astrit Lahi.

Forcat e policisë po hetojnë rastin për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.


EMISIONET