Shkatërrohet rrjeti i bashkëpunëtorëve të superbosit mafioz Matteo Messina Denaro

Shkatërrohet rrjeti i bashkëpunëtorëve të superbosit

Antimafia italiane i ka dhënë sot një goditje të fortë mafias siciliane Cosa Nostra duke qenë gjithnjë e më pranë gjurmëve të personit më të rrezikshëm të mafias italiane, superbosit Matteo Messina Denaro.

Reparti investigativ i drejtorisë së antimafias ka arrestuar 22 bashkëpunëtorë të bosit mafioz të Cosa Nostra, Matteo Messina Denaro i shpallur në kërkim që nga viti 1993.

Të arrestuarit janë anëtarë të familjeve mafioze siciliane të Castelvetrano, Campobello di Mazara e Partama.

Mes të arrestuarve janë dhe Gaspare Como e Rosario Allegra, 2 kunetërit e bosit mafioz.

Hetimet e antimafias italiane kanë zbardhur se 22 të arrestuarit ishin bashkëpunëtorë aktiv e zbatues të urdhërave të dhëna nga Matteo Messina Denaro.

Përgjimet telefonike të të arrestuarve japin detaje nga vrasja makabre me acid e një 15-vjeçari si edhe vërtetojnë praninë e tij në territorin sicilian.

Më 1993 Messina Denaro së bashku me Toto Riinan ishin organizuesit e rrëmbimit dhe vrasjes me acid të 15-vjeçarit Giuseppe Di Matteo, djali i bashkëpunëtorit të drejtësisë Santinio Di Matteo, i cili kishte rrëfyer para autoriteteve gjyqësore italiane detaje të atentatit vrasës që mafia siciliane i bëri gjykatësit Giovanni Falcone më maj të 1992.

Akuza ndaj të arrestuarve është pjesëmarrje në aktivitet mafioz, armëmbjatje pa leje, kërcënim me dhunë, mashtrim fiskal, falsifikim pronësie etj.

EMISIONET