Operacioni "Scorpion fish2" i antimafias italiane ka shkatërruar një organizatë kriminale italo-tuniziane, e cila trafikonte emigrantë klandestinë nga Tunizia drejt Palermos.

Ky grup kriminal trafikonte emigrantë klandestinë mes të cilëve dhe xhihadistë nga qyteza tuniziane Nabeul drejt brigjeve siçiliane të Trapanit .

Udhëtimet kryheshin 2-3 herë në javë me gomone me nga 10-15 persona. Çdo emigrant paguante nga 3 mijë deri në 5 mijë euro për të mbërritur në Itali.

Çdo udhëtim i siguronte këtij grupi kriminal një përfitim nga 30-70 mijë euro.

Përgjimet telefonike të autoriteteve italiane kanë zbardhur se disa nga anëtarët e këtij grupi kriminal ishte të lidhur me ambientet e islamizmit radikal me natyrë xhihadiste. Në një bisedë telefonike njëri prej tyre shprehej se synonte të mbërrinte në Francë ku do të kryente  një akt nga i cili nuk do të kishte më kthim.

"Lutuni për mua,"-shprehej ai.

Nën pranga janë vënë 13 persona italianë, marokenë dhe tunizianë. Çdo anëtar i kësaj organizate kriminale kishte një rol të përcaktuar mirë me detyra të ndara në mirëmbajtjen e mjeteve lundruese, në organizimin e udhëtimeve, në mbledhjen e parave, në pritjen e klandestinëve në brigjet italiane etj.

Hetimet kanë zbardhur se gjatë udhëtimeve me gomone kjo organizatë kriminale bënte dhe kontrabandë cigaresh të markave të huaja “PINE BLUE” e “BUSINESS ROYALS. Çdo paketë cigare shitej jo më shumë se 3 euro e për 1 ton cigare kjo organizatë kriminale përfitonte rreth 17 mijë euro.

Operacioni "Scorpion Fish 2" ka nisur në verë të 2017 e përgjatë hetimeve janë sekuestruar 4 tonë cigare kontrabandë si dhe janë ndaluar 19 emigrantë klandestinë.

/Ora News.tv/