Goditet një grup i strukturuar kriminal që ushtronte veprimtari në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Operacioni është  zhvilluar në një kohë, në Itali dhe në Shqipëri dhe është koduar “Car Sharing”.

Në Shqipëri janë arrestuar  dy anëtarë të grupit kriminal, si dhe tre të tjerë në Itali, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim nga policia italiane.

“Operacioni në Shqipëri është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm, i drejtuar nga Departamenti i Policisë Kriminale, me pjesmarrjen e Interpol Tirana dhe Drejtorisë Vendore Fier, në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse Italiane të atashuar në vendin tonë (INTERFORCA) “ informoi policia e shtetit.

Si rezultat, në Fier u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

K. Ç., 34 vjeç, banues në Karbunare/Lushnjë, person me precedent të mëparshëm penal;

Sh. Z., 35 vjeç, banues në Lushnjë;

Ndërsa në Itali u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

H. SH., 28 vjeç Nga Lushnja

 A. M., 45 vjeç, nga Lushnja,

D. T. , 28 vjeç, nga Durrësi

Të tre me banim të përkohshëm në Itali.

Gjithashtu në Itali u shpall në kërkim shtetasi shqiptar E. H., me banim të përkohshëm në Itali.

Gjatë operacionit u sekuestruan 20 kg kokainë dhe 30 mijë euro cash, si dhe dy armë.

Më shtator të 2018 u arrestuan nëntë persona për trafikim ndërkombëtar të drogës kryesisht të importuar nga Holanda, një operacion ky që dyshohet se ka lidhje me atë të ditës së sotme.

Kush ishte organizatori? – Sipas policisë “ Nga periudha gusht 2017 deri në mars 2018, shtetasi K. Ç., në rolin si organizator,  koordinator dhe përgjegjës i aktiviteteve kriminale të grupit që u godit mëngjesin e sotëm, negocionte me tregtarët e drogës dhe mbikëqyrte furnizmin me drogë, për ta trafikuar në rajonin e Toscanës.”

Shteasi SH. Z., në rolin e tij si pjesëmarrës solid brenda grupit kriminal kontrabandonte lëndën narkotike kokainë  dhe ia dorëzonte personave që kishin negociuar më parë.

Gjithashtu ky shtetas ishte i ngarkuar për të mbledhur para nga kontrabandistët vendas dhe konsumatorët.

/Ora News.tv/