Shkatërrohet banda greko-shqiptare e trafikut të drogës

Shkatërrohet banda greko-shqiptare e trafikut të drogës

Policia greke ka asgjesuar një tjetër organizatë kriminale të trafikut të drogës. Në pranga kanë rënë 15 pjesëtarë të kësaj organizate, 7 grekë dhe 8 shqiptarë, të moshës nga 16 deri 32 vjeç.

Në të njëjtën kohë janë idientifikuar dhe shpallur në kërkim edhe 8 pjesëtarë të tjerë.

Për të njëjtën çështje janë proceduar edhe tre prindër, dy grekë e një shqiptar, për veprën penale të neglizhimit në përkujdesjen për fëmijtë e tyre me moshë minorene.

Policia thotë se arriti në asgjesimin e organizatës pas një pune investigative disa mujore.

Tipari kryesor i veprimtarisë së trafikantëve është se ata shisnin doza të vogla kanabisi dhe kokaine dhe kurrë nuk mbanin me vete sasi të mëdha.

Një tjetër veçori dalluese ishte se, siç rezultoi nga përgjimet telefonike, trafikantët shqiptarë komunikonin duke përdorur dialekte të ndryshme të gjuhës së tyre, me qëllim që në rast përgjimi, të mos merreshin vesh nga përndjekësit.

Gjithësesi, autoritetet mundën ta zbardhin gjithë veprimtarinë e organizatës, që i  kishte tregjet e veta në pjesën perëndimore dhe verilindore të Athinës, por edhe në qendër dhe në zonën bregdetare.

Organizata kishte krijuar dhe një rrjet shitjesh në mjaft shkolla të mesme. Nga verifikimet e policisë ka rezultuar se ata kishin një numër të madh klientësh të mitur.

Gjatë operacioneve për asgjesimin e organizatës, policia ka sekuestruar edhe 1,7kg kanabis, 26 gr kokainë, një numër të madh pilulash narkotike, 35 telefona celularë, një shumë parash prej 14.040 euro, 2 automjete, 2 pistoleta dhe 3 fishekë, 8 thika luftarake, shënime nga shitblerjet e drogave, si dhe bexha të policisë greke.(FOTO)

EMISIONET