Shiheni këtë foto dhe zgjohuni!

Shiheni këtë foto dhe zgjohuni!

Se Kosova nuk ka as institucione serioze, as shoqëri civile me rrezatim ndërkombëtar, as personalitete të vëmendshme publike - po shihet sërish, këto ditë, në përvjetorin e intervenimit të NATO-s kundër Serbisë: ndërsa sërish janë ngjallur kundërshtarët e aksionit të NATO-s dhe masakra e Reçakut quhet inskenim, ndërsa ka përpjekje për t’i shfajësuar krerët e shtetit serb për krimet në Kosovë, shteti dhe shoqëria kosovare duket se ndihen ende rehat në gjumin dimëror.Një shikim në arkiv tregon se Kosova ka aq shumë argumente për t’u mbrojtur. Dhe një lutje: shikojeni këtë fotografi të Yannis Behrakis të Reutersit.Shihet një djalë shqiptar i Kosovës në vitin 1998. Ai bart një fëmijë të lodhur, i cili bashkë me refugjatë të tjerë kishte ecur mbi 30 orë për të shpëtuar nga forcat serbe.

Nuk janë vetëm mediat propagandistike ruse, nuk janë vetëm mediat e Beogradit, nuk janë vetëm hajvanët tashmë të mirënjohur dhe promillosheviqian të botës perëndimore që janë mobilizuar këto ditë për të mallkuar NATO-n, e cila më 24 mars 1999 filloi një aksion «ilegal» duke sulmuar Serbinë, kësisoj duke shkelur edhe të «drejtën ndërkombëtare».

Edhe redaksia serbe e Deutsche Welles, një mediumi që financohet me paratë e taksapaguesve gjermanë, e ka parë të udhës të japë kontributin e vet në revizionimin e historisë. Në një shkrim tendencioz akuzohen korrespondentët e mediave gjermane për luftënxitje.

Në një tjetër shkrim tentohet të njolloset ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fischer, i cili më 1999 përkrahu intervenimin e NATO-s në Kosovë me argumentin se nuk do të lejohej një Auschwitz i ri.

Ka edhe gazeta serioze gjermane që në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s përsërisin këngën vajtimtare: «Në konfliktin e Kosovës NATO shkeli të drejtën ndërkombëtare».

Përballë gjithë kësaj fushate është jashtëzakonisht e habitshme, absurde dhe e neveritshme heshtja e opinionit shqiptar të Kosovës. Të tjerët përpiqen të plasojnë në opinion rrëfimin mbi mëkatin e NATO-s më 1999 mbi «Serbinë e pafajshme», ndërsa shqiptarët e Kosovës qëndrojnë indiferent.

Më të organizuar kanë qenë më 1999 në ballafaqimin me propagandën serbe se sa sot, 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe 20 vjet pas fillimit të çlirimit. Institucionet ashiqare janë të paafta.

Nuk do të kushtonte asgjë, gati asgjë, nëse do të krijohej një komision, një ekip që do të bënte një përmbledhje të argumenteve në favor të çlirimit të Kosovës nga NATO-ja. Këto argumente do të mund të shfrytëzoheshin edhe në mediat sociale, sidomos në Twitter, i cili është shndërruar në një instrument të komunikimit dhe ndikimit edhe në diplomacinë publike.

Politikanët harxhojnë para pa fund për udhëtime të kota nëpër botë, shpenzohen mijëra euro e dollarë për dreka e darka të shtrenjta nëpër metropole të botës, pa përmendur këtu lobistët e shumtë të paguar nga krerët e shtetit jo për të mbrojtur shtetin, por për të ujdisur imazhin e tyre. Nuk është problemi vetëm te institucionet e dobëta.

Nuk ka Kosova as shoqëri civile me rrezatim ndërkombëtar, as intelektualë të vëmendshëm.

Mediat serioze janë në gjendje të vështirë dhe nuk kanë kapacitet të bëjnë punë të mëdha në rrafshin e informimit të opinionit botëror. Një ndër krimet e mëdha të partive të krahut të luftës është shkatërrimi i sistemit medial, duke themeluar portale për të njollosur kundërshtarin politik dhe duke i shndërruar mediat publike në instrumente të propagandës partiake.

Në 20 vjetorin e fillimit të çlirimit të Kosovës nga NATO-ja lajm dite është se revista «Der Spiegel» e paskësh lavdëruar Ramush Haradinajn, por kjo – së pari – është e pasaktë në mënyrën si është interpretuar dhe – së dyti – është një dhuratë e mbështjellë me helm. Haradinaj nga «Der Spiegel» përshkruhet si politikan që po i thotë Amerikës se «Prishtina nuk është koloni e Washingtonit».

Kosova duhet të emancipohet politikisht, por përfundimisht në këto rrethana gjeostrategjike nuk ka nevojë për politikanë të tillë. Haradinaj nuk është antiamerikan, por po u krijon hapësirë mediave si «Der Spiegel» për ta shndërruar në personifikim të antiamerikanizmit në Kosovë.

Ndërkohë 20-vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s i ka ringjallur fantazmat e vjetra. Masakra e Reçakut quhet inskenim, ndërsa ka përpjekje për t’i shfajësuar krerët e shtetit serb për krimet në Kosovë.

Në një shkrim në numrin e së shtunës gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» shkruan se është e diskutueshme nëse krimet janë planifikuar në Beograd apo nga komandantët (serbë) në Kosovë.

Si është e mundur të bëhen këso konstatimesh, kur dihet se gati komplet udhëheqja shtetërore serbe është dënuar nga Gjykata e Hagës për planifikimin e krimeve të luftës në Kosovës? «Krimet më të mëdha u kryen pas fillimi të intervenimit. Lufta ajrore nuk ishte mjet i përshtatshëm për t’i penguar ato», shkruan «Neue Zürcher Zeitung».

E cili paskësh qenë mjeti i përshtatshëm? Vrasja e të gjithë shqiptarëve të Kosovës përmes masakrave të vogla, simpatike, të lezetshme, aty 5 të vrarë, këtu 10 të plagosur, pastaj 20 të përndjekur?

Për masakrën e Reçakut «Neue Zürcher Zeitung» rendit dy versione: policia serbe thoshte se të vrarët në Reçak kanë qenë luftëtarë të UÇK-së, të cilët në vendin ku u gjetën ishin sjellë nga bashkëluftëtarët e tyre për të mashtruar opinionin se bëhej fjalë për masakër serbe. Shefi amerikan i OSBE-së William Walker këtë e kundërshtonte.

E cila është e vërteta? Po të ishte e interesuar «Neue Zürcher Zeitung» për të vërtetën, lehtë do ta gjente. Në arkivin e mediave zvicerane gjendet një shkrim i gazetarit Bernhard Odehnal. Shkrimi është botuar më 20 qershor 2002 në gazetën javore «Weltwoche» të Zürichut.

Është një portret i Helena Ranta, mjeke finlandeze e forenzikës, e cila kishte kontrolluar viktimat e masakrës së Reçakut. Ranta tregon: pas hulumtimeve është e qartë se plumbat mbi banorët e Reçakut janë shkrepur nga afërsia dhe jo nga distanca prej 200 metrash, siç pretendonin ekspertët serbë dhe bjellorusë; ekspertja finlandeze e di se nga cilat armë është shtënë dhe me çfarë fishekësh, ajo e di se të vrarët në momentin e vrasjes kanë bartur ato rrobe me të cilat janë gjetur (dhe jo uniforma të UÇK-së) dhe se viktimat janë vrarë aty ku janë gjetur (nuk ka pasur zhvendosje të tyre). Më 2001 Ranta i kishte të gjitha dëshmitë se Reçaku nuk ka qenë i inskenuar, siç llomotisin shumë propagandistë proserbë. Që nga viti 1999 gazeta franceze «Le Monde», por edhe «Der Spiegel» dhe «Berliner Zeitung» kanë shprehur dyshime ndaj masakrës së Reçakut.

Kundërshtarët e intervenimit theksojnë se NATO ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ka shumë argumente që kjo nuk është e vërtetë. Le të citojmë këtu sekretarin e atëhershëm të OKB-së, Kofi Annan, i cili vërtet nuk mund të akuzohet për luftënxitje.

Së pari: «Deklaroj po ashtu se refuzimi i marrëveshjes politike nga ana e autoriteteve jugosllave e ka bërë këtë aksion të domosdoshëm. (…) Ka kohëra kur përdorimi i forcës në kërkim të paqes është legjitim».

Së dyti: «Nëse Këshilli i Sigurimit nuk është unik për t’u ballafaquar me shkeljen masive të të drejtave të njeriut dhe krimet kundër njerëzimit në nivelin e Kosovës, atëherë tradhtohen idealet që çuan në themelimin e OKB-së». Së treti: «E drejta ultimative e shteteve nuk mund dhe nuk guxon të jetë e drejta për t’i skllavëruar, përndjekur apo torturuar qytetarët e vet».

Ja edhe një argument nga profesori zviceran i së drejtës ndërkombëtare, Walter Kälin: «E drejta ndërkombëtare e kodifikuar së paku lejon një interpretim se për konsiderata humanitare, pra mbrojtje të popullsisë së Kosovës, mund të bëhet një përjashtim».

Natyrisht që ka edhe shumë argumente të tjera, të cilat do shpërthenin kuadrin e këtij teksti. Këta shembuj mëtojnë të tregojnë se në vitin 2019 Kosovën nuk ka kush e mbron.

Ministria e Jashtme është një ahur i nepotizmit dhe simbol i ndyrë i paaftësisë që buron nga kreu i saj. Kryeministri e ndjen veten në nivel kur takon biznesmenë të dyshimtë nga India dhe kur ndan dekorata me emrin «Skenderbeu». Presidenti? I zënë me shumë punë.

*Marrë nga Dialogplus. Titulli origjinal:"Të përgjumur në përvjetorin e fillimit të çlirimit"

 

EMISIONET