ShBA: Virusi doli nga laboratori i Wuhan, Trump: Kam prova - Ndërkallje e 360 Gradë

ShBA: Virusi doli nga laboratori i Wuhan, Trump: Kam prova - Ndërkallje e

Presidenti amerikan Donald Trump bën përgjegjëse Kinën për përhapjen e COVID-19 në gjithë botën dhe kërcënoi për tarifa të reja mbi vendin aziatik.

Ai duket se i ka anashkaluar agjencitë e tij të inteligjencës pasi tashmë pranon se ka parë prova që koronavirusi e ka origjinën në një laborator kinez.

Në një dalje për gazetarët Trump tha se nuk i lejohej që këto prova të bëhen publike, por sipas tij ekzistojnë vetëm dy mundësi se pse Kina e lejoi daljen e COVID-19 nga laboratori i Wuhanit.

“Ata ose nuk e penguan dot për shkak të paaftësisë, ose e lejuan që të përhapej” pohoi Trump.

Trump u pyet në Shtëpinë e Bardhë nga një reporter: “A keni parë ndonjë gjë në këtë pikë që ju bën të besoni se Instituti i Virologjisë në Wuhan është origjina e këtij virusi?” “Po, kam parë. Po, kam parë” – tha presidenti, pa bërë ndonjë sqarim më shumë, por duke shtuar: “Dhe unë mendoj se Organizata Botërore e Shëndetit duhet të ketë turp për veten sepse ata janë bërë si agjencia e marrëdhënieve me publikun të Kinës.”

I pyetur për ta sqaruar komentin e tij, ai tha: “Unë nuk mund t’ju them këtë. Nuk më lejohet t’ju them këtë. Nëse ata bënë një gabim, ose nëse ajo filloi si një gabim dhe pastaj ata e bënë një tjetër, apo dikush bëri diçka me qëllim? Unë nuk e kuptoj se si nuk u përhap në pjesën tjetër të Kinës, por shkoi në pjesën tjetër të botës. Kjo është një pyetje e vështirë për ta për t’iu përgjigjur.” – tha Trump.

New York Times raporton se zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë kanë kërkuar nga komuniteti i inteligjencës amerikane që të hetojë nëse virusi erdhi nga një laborator kërkimor në Wuhan.

Agjencive të inteligjencës u është ngarkuar detyra të përcaktojnë nëse Kina dhe OBSH-ja i mbajtën të fshehta informacionet e para për virusin.

Më parë zyra e drejtorit kombëtar të inteligjencës amerikane tha se Covid-19 “nuk ishte e prodhuar ose e modifikuar gjenetikisht në laborator”.

Në të njëjtën linjë Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo tha se ka prova të shumta që vërtetojnë faktin që koronavirusi ka dalë nga laboratori viroligjik i Wuhan’.

Pompeo ka shtuar që për virusin ‘Kina ka bërë gjithçka ka mundur që të mbajë në errësisë mbarë botën”.

Ndërkohë Kina ka hedhur poshtë teorinë e laboratorit dhe kritikoi deklaratat e SHBA.

Pas shpalljes së pandemisë globale, ShBA ngritën padi ndaj Kinës duke e akuzuar si shkaktare të përhapjes së koronavirusit.

Shteti amerikan i Misurit paditi qeverinë kineze dhe Partinë Komuniste në pushtet mbi atë që e quan mashtrim të qëllimshëm për pandeminë globale COVID-19.

Padia kërkon që Kina të mbajë përgjegjësi për humbjet e jetës, vuajtjet njerëzore dhe trazirat ekonomike që kanë ndodhur.

Në Misuri, janë konfirmuar bartës të koronavirusit mbi 6,100 banorë dhe të paktën 229 prej tyre kanë humbur jetën nga sëmundja vdekjeprurëse.

Në rang vendi, Amerika numëron mbi 825,000 të infektuar dhe mbi 45,000 viktima.

Që nga shfaqja në qytetin kinez Wuhan në fund të vitit të kaluar, koronavirusi konfirmohet se ka infektuar 3.2 milion njerëz në të gjithë botën dhe ka vrarë më shumë se 230 mijë të tjerë.

EMISIONET