Takimi i paralajmëruar për të shtunën në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të mbahet.Planeve u dha fund Prokuroria e Posaçme me seli në Hagë me publikimin e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

ShBA mbetet e vendosur për të mbajtur takimin mes Kosovës dhe Serbisë në një datë tjetër.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka mirëkuptuar vendimin e kryeministrit Hoti për të anuluar takimin e 27 qershorit pas zhvillimeve të fundit me presidentin Thaçi, duke deklaruar se mezi pret të caktojnë të datë të re.

"Faleminderit, Kryeministri Hoti. Ne e kuptojmë vendimin tuaj dhe mezi presim të ri-caktojmë takimin së shpejti".

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, njoftoi të enjten nga Brukseli se ka kërkuar shtyrjen e takimit për më vonë, porse situata nuk rrezikon perspektivën e dialogut.

"Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i aktakuzës të paraqitur nga Prokuroria e Specializuar, unë duhet të kthehem në vendin tim për t'u marrë me situatën. E njoftova Ambasadorin Grenell se nuk mund të merrja pjesë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë".

Deklarata e Hotit, pasoi atë të presidentit Thaçi, i cili me të mësuar pretendimet e Prokurorisë Speciale kundër tij, të mërkurën i prishi planet për pjesëmarrjen në Uashington.

Emisari i posaçëm amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Riçard Grënell, por edhe Departamenti i Shtetit në një reagim për "Zërin e Amerikës", thanë se i mirëkuptojnë vendimet.

Vetë Veseli, një nga drejtuesit e lëvizjes studentore të Kosovës në fundvitet '80 dhe komandant i Shërbimit Informativ gjatë periudhës së UÇK-së, tha se do i faktojë akuzat e pabaza, për të provuar se ishte Serbia, jo shqiptarët, përgjegjëse për ndodhitë e shekullit të kaluar.

Të enjten, reagimi i presidentit Thaçi ishte më figurativ, duke e hapur faqen e tij të Facebook-ut me flamurin e UÇK-së të shtrirë mbi një sfond të zi.

Zyra e Prokurorit në Hagë njoftoi të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, një aktakuzë me dhjetë pika që brenda muajit tetor do duhet të shqyrtohet ose të hidhet poshtë nga një gjyqtar.

/Ora News.tv/