SHBA: Kini respekt për institucionet

SHBA: Kini respekt për institucionet

Pas presidenti paralajmëroi shpërndarjen e Parlamentit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë thirrje për respekt të institucioneve dhe besim në proceset demokratike. Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim takoi në një ditë Edi Ramën, Ilir Metën dhe Lulzim Bashën dhe u bëri thirrje të sillen në mënyrë të përgjegjshme për të mirën e popullit.

Ndërsa u rindez konflikti midis presidentit dhe mazhorancës për emërimin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka nisur bisedime të ethshme.

Pas deklaratës së Kreut të Shtetit për të zbritur me popullin në bulevard, ambasadorja takoi Edi Ramën, Ilir Metën dhe Lulzim Bashën.

Përmes një deklarate ajo shprehet se iu kërkoi udhëheqësve shqiptarë të sillen në mënyrë të përgjegjshme për të mirën e popullit.

“Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar,” thekson diplomatja amerikane.

Reagimi i saj vjen në të njëjtën ditë që Presidenti i Republikës i bëri thirrje popullit shqiptar t’i bashkohet më 2 mars në Bulevard kundër asaj që Kreu i Shtetit e quan puç kushtetues dhe kërcënimeve të tij të vazhdueshme të për shpërndarë siç tha ai, gjysmëparlamentin.

Zgjidhja e krizës politike në vend është shpallur si një prej përparësive të mandatit të Yuri Kim në Shqipëri.

Ambasadorja vlerësoi edhe konferencën e donatorëve në Bruksel dhe ashtu si opozita e quajti atë pasqyrim të mbështetjes dhe dëshirës së komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit.

Kim bëri thirrje gjithashtu për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë procesit të rindërtimit.



EMISIONET