Meta jep alarmin: Krimi i organizuar është fuqizuar. Rrezikon sigurine kombëtare

Meta jep alarmin: Krimi i organizuar është fuqizuar. Rrezikon sigurine

Autoritet më të larta të vendit kanë reaguar për aksionin e policisë për kapjen e 613 kg kokainë në Portin e Durrësit. Presidenti Meta e vë theksin në rrezikun që i vjen sigurisë kombëtare nga fuqizimi i krimit të organizuar dhe drogës. Kreu i Shtetit kërkon thellim të mëtejshëm dhe intensifikim të bashkëpunimit të Agjencive ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë.

Në njoftimin për shtyp thuhet: Presidenti Meta duke theksuar rrezikun kryesor që i vjen sigurisë kombëtare të vendit nga fuqizimi i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, kërkon thellim të mëtejshëm dhe intensifikim të bashkëpunimit të agjencive ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë."

Presidenti Meta përshëndet rolin e Anti-Mafias italiane dhe paralajmërimet e saj konsistente për rrezikun që i vjen, jo vetëm Shqipërisë dhe Italisë, por edhe rajonit, nga fuqizimi i krimit të organizuar.

Presidenti Meta thekson në mënyrë të përsëritur domosdoshmërinë për rritjen e kapaciteteve për forcimin e sigurisë së kufijve të vendit, veçanërisht të pikave të kalimit kufitar dhe inkurajon pastrimin e Policisë së Shtetit dhe gjithë agjencive ligjzbatuese nga elementët e inkriminuar, në funksion të përmbushjes me sukses të detyrimeve ligjore dhe kushtetuese.

Përmes një mesazhi në faqen e tij të Facebook-ut, Rama e cilësoi aksionin një hap te madh në përballje me krimin e organizuar.

Rama: Edhe fakti që ky operacion është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane ku ngarkesa ka udhëtuar përpara se sa të hynte në portin e Durrësit, ka domethënien e rëndësishme të forcës ligjzbatuese që disponojmë sot, duke nisur nga pikat doganore. 

Lideri i opozitës, Lulzim Basha, e quan këtë një kronikë të paralajmëruar nga demokratët, ku sipas tij vendi drejtohet nga bandat, pasi droga nuk mund të kalonte pa një garanci politike. 

Basha: Kapja e 613 kilogramëve kokainë është një kronikë e paralajmëruar nga Partia Demokratike. Në mënyrë të përsëritur kemi denoncuar në Kuvend dhe në media se krimi i organizuar me mbështetje qeveritare, ka marrë nën kontroll trafikun e drogave të forta, kokainë dhe heroinë.

Kjo ngarkesë rekord e kokainës nuk mund të kalonte nga Shqipëria pa garanci politike. Këtë paralajmëroi edhe Kryeprokurori i Antimafias de Raho të hënën në Tiranë, kur deklaroi se mafia ka lidhje me politikën shqiptare dhe ka pushtuar policinë. Me këtë rast dua ti shpreh mirënjohjen partnerëve të huaj që drejtuan operacionin me sukses dhe e vunë para faktit të kryer narkoshtetin dhe levat e tij në Shqipëri.

Rrokada nga klani Tahiri-Habilaj i kanabisit tek klanet e heroinës dhe kokainës të Xhafajve me kompani, kanë si pikë të përbashkët mbrojtëse, kryeministrin Edi Rama. 613 kilogramët e kokainës, të kapura për shkak të partnerëve tanë, janë tregues se Shqipërinë sot e drejton banda e kokainës, dhe se largimi i saj dhe krijimi i një qeverie anti-mafia është emergjencë kombëtare.

Nga LSI, Petrit Vasili tha se DEA amerikane duhet të stacionohet në Shqipëri për shkak të sasisë së frikshme që u kap në portin e Durrësit. 

Vasili: Kapja e sasise shokuese te kokaines eshte prove e kthimit te shqiperise ne vend shume te rrezikshem te trafikut nderkombetar te drogave te renda dhe i krimit te organizuar.Roli i partnereve nderkombetare i pacmueshem Kreu i antimafias italiane e paralajmeroi qarte ne Tirane jo me larg se dje..vetem kryeministri nuk e degjoi,si duket ishte i zene me organizimin e kesaj qe i deshtoi sot.

Ne SHBA kemi kerkuar qe DEA te stacionohet ne Shqiperi.Riperserisim sot me force qe DEA duhet patjeter te stacionohet ne Shqiperi pasi droga dhe krimi i organizur ne Shqiperi eshte bere rrezik kombetar dhe rajonal dhe koha nuk pret me perpara se te jete shume vone.

Ndaj akuzave të opozitës ka reaguar Policia e Shtetit. Uniformat blu e konsiderojnë të pakuptimë dhe denigrues.

 "Reagimi i opozitës në një sulm tërësisht absurd, pikërisht në rastin më të mirë për të vlerësuar e përgëzuar punën e policisë e të Agjencive të tjera ligjzbatuese të Shqipërisë".


EMISIONET