RTV Ora ndjek një ditë pune të Frontex, 7 patrulla me polici evropiane e shqiptare në Kakavijë

RTV Ora ndjek një ditë pune të Frontex, 7 patrulla me polici

E konsideruar si një ndër pikat më të nxehta të kalimit të emigranteve të paligjshëm në vendin tonë, oficerë të Frontex janë vendosur edhe në kufirin e gjelbër me Greqinë, në Kakavijë.  

RTV Ora qëndroi disa orë me efektivët e Frontex për të parë nga afër punën e tyre gjatë evidentimit të rasteve të paligjshme, në pikën kufitare.  

Në fshatin Vrisera në kufi me Greqinë janë vendosur efektivë të Frontex dhe policisë shqiptare për të identifikuar rastet e paligjshme.

Në Kakavijë janë të vendosur 21 oficerë të cilët janë të ndarë në 7 patrulla policie të Frontex, me nga dy oficerë të policive evropiane dhe nga një efektiv të policisë shqiptare.

Prej ditësh ata kanë nisur patrullimin dhe kontrollet e veçanta.

Oficerët e terrenit ndihmohen edhe nga pjesa tjetër e specialistëve që të identifikojnë dokumentet e falsifikuara por edhe rastet e shkeljes së hapësirës Shengen.

Dita e punonjësve të policive evropiane nis në mëngjes, ku përgjithësisht ka pak lëvizje. Ata nisin kryesisht gjatë pasdites dhe orëve të natës, ku një tjetër grup i Frontex nis misionin për të identifikuar raste të paligjshme.

Patrullimi i tyre kryhet në fshatrat Vrisera, Dritë, dhe Koshovicë, kryesisht përgjatë lumit, pasi sipas informacioneve, klandestinët që tentojnë të hyjnë në Shqipëri, ndjekin pikërisht këtë rrugë.

Dislokimi i Frontex përgjatë kufirit 282 km kilometër ka dhënë dhe efektet e para. Nisur dhe nga kushtet atmosferike të favorshme, ditët e fundit janë kapur rreth 80 klandestinë të cilët tentuan të futeshin në kufirin e gjelbër në Kakavijë dhe Kapshticë.  

Sipas burimeve ata u evidentuan falë kontrolleve me kamera termike. Klandestinëve u merren deklarimet e para dhe më pas shoqërohen drejt qendrës së Azilkërkuesve në Tiranë. Në rast se ata nuk bëjnë kërkesa për azil, atëherë mbi bazë të marrëveshjeve kthehen në Greqi si vendi nga ku hynë në territorin shqiptar.

Numri i emigrantëve shqiptarë është rritur gjatë 4 mujorit të parë te këtij viti ku janë kapur 2825 shtetas të huaj, shifër kjo që tregon rritje më 25.6 %.

Gjatë vitit të shkuar janë kapur rreth 7000 emigrantë të paligjshëm të cilët kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin tonë.

50 oficerët e Frontex u vendosën të martën në pikat e kalimit kufitar në Kakavijë dhe në Kapshticë, të konsideruara si pikat më të nxehta të kalimit të emigrantëve të paligjshëm nga Greqia në Shqipëri, në orvatje për të kaluar më pas në vendet e BE.



EMISIONET