Rritja e numrit të infektimeve, Shehu: Menaxhim teatral i situatës, izolimi u bë për të ngjallur frikë

Rritja e numrit të infektimeve, Shehu: Menaxhim teatral i situatës,

Gjatë ditëve të fundit, Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të të infektuarve me COVID-19, shifra më të larta krahasuar edhe me fillimin e kësaj vale.

Lehtësimi i masave kufizuese është një indikator i rëndësishëm në rritjen e këtyre shifrave, por ish ministri i shëndetësisë, Tritan Shehu shprehet se i gjithë menaxhimi i situatës ka qenë i gabuar.

Në një intervistë për RTV Ora, ai shprehet se izolimi i vendit ka qenë teatral edhe pa asnjë strategji shëndetësore për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të COVID-19.

Sipas tij, nxjerrja në rrugë e armatimeve të rënda ushtarake si tanket, u bë thjesht për të ngjallur frikë tek qytetarët dhe për të treguar forcën e qeverisë.

Shehu: Unë mendoj se e gjithë kjo që ndodhi dhe po ndodh është dështimi i plotë i politikave dhe menaxhimit të kësaj qeverie. Është një dështim total që nga masat e para që u morën. E para sepse kjo epidemi nuk e ka pasur pikun në mars. Unë jam i bindur që pikun e ka pasur në shkurt. Së dyti masat që u morën, mbyllja ishte teatrale. 

Nuk ishte e bazuar në principe shëndetësore dhe shkencore por një mbyllje për demonstrim force, për të impresionuar popullsinë. Nuk kishim të bënim me asnjë pushtim të huajsh. Kishim të bënim me një virus që luftohej me masa mjekësore e shëndetësore. Gjatë mbylljes u bënë veprime që nuk duheshin bërë. Nxorën tanket nëpër rrugë, por kjo nuk është mënyra më e mirë për të komunikuar me njerëzit. U mbyllën hapësirat, dhe njerëzit filluan të koncetroheshin në vende të ngushta. Logjika është e kundërt pasi duheshin synuar masa për të dekonçensionuar dëndësinë e njerëzve. 

Në një kohë që duheshin mbyllur disa sektorë siç ishin fasoni apo Call Center, këto u lanë në aktivitet. U arrit kulmi me atë që e quaj krim kundër njeriut, prishjen e teatrit në një kohë pandemie. Shiko se çfarë po ndodh në Velipojë. Në këto momente krijon grumbullime masive njerëzish por edhe provokohen qytetarët të protestojnë. Gjatë gjithë periudhës u bënë gabime konceptuale. Nuk u mbrojt personeli shëndetësor. Nuk u kontrolluan të sëmurët që kishin probleme të tjera mjekësore. Dhe skandali më i madh është numri i vogël i testimeve. Shqipëria bëri numrin më të vogël të testimeve në Europë. 

Një tjetër shqetësim që ngre ish ministri, është dhe numri i ulët i testimeve të realizuara në 24 orë.

Ai thotë se numri i testimeve të kryera në kryeqytet është 6 herë më i vogël si më parë, por raporti me numrin e të infektuarve është 50 me 50.

Shehu: Sot dolën disa tipare të kësaj çështje. Qëlloi që sot Shqipëria shënoi të njëjtin numër rastesh me Kinën pavarësisht se numri i banorëve të Kinës është shumë herë më i lartë. Gjithashtu kjo ditë shënoi dhe numrin më të vogël të testeve në Tiranë, ku kjo është epiqendra e saj. Është bërë rreth 7 herë më pak se ç’bëheshin disa ditë më parë. Nëse statistikat janë të vërteta që rreth 50 përqind e testeve të bëra këtu janë pozitive atëherë situata është shumë shqetësuese. Nuk ka asnjë njoftim për testimet që janë bërë në spitalet apo qendrat shëndetësore. QSUT është si një armë biologjike që po përhap në të gjithë Shqipërinë kontaminime. Kjo nuk është përgjegjësi e personelit, por është përgjegjësi e atyre që duhet të merrnin masa. Duhet të pajisnin personelin me maska, duhet të kontrollonin pacientët. 

Intervista në studio me gazetarin Xhoi Malësia, përgatiti për online Endi Mullaj

EMISIONET