Rritja e Kinës dhe rilindja e Rusisë paraqesin rrezik të shtuar lufte

Rritja e Kinës dhe rilindja e Rusisë paraqesin rrezik të shtuar

Fuqia ushtarake e Kinës dhe rilindja e Rusisë do të paraqesin sfida gjithnjë e më të mëdha për Aleancën Trans-Atlantike në vitet në vijim. Një raport i publikuar nga NATO tregon se përpjekjet e kësaj organizate për të rritur kapacitetin, mund të shkaktojnë garë të re armatimesh në stilin e Luftës së Ftohtë. 

Raporti kompletohet çdo 4 vite dhe identifikon 20 tendenca globale që me gjasa do të ndikojnë mbi aleancën në vijimësi, duke filluar nga inteligjenca artificiale dhe zhvillimi i madh teknologjik deri tek ndryshimet klimaterike dhe pabarazia në rritje.

Sipas Gjeneralit Denis Mercier, Komandant i Forcave Aleate të Transformimit, ky raport tregon një rrezik të shtuar të luftës ndërshtetërore, krahasuar me bilancin e fundit të publikuar më 2013. 

Dokumenti dëshmon se vendet kanë filluar të rrisin buxhetin e tyre për mbrojtjen, pas aneksimit të rajonit të Krimesë nga Rusia më 2014, por ekziston nevoja për më shumë shpenzime të këtij lloji deri në vitin 2045. 

Sidoqoftë, raporti paralajmëron vendet anëtare të kenë kujdes teksa investojnë për sigurinë, pasi kufizimet fiskale dhe prioritetet konkurruese buxhetore mund të dëmtojnë aftësinë e këtyre vendeve për të përmbushur kërkesat e NATO-s në të ardhmen.

EMISIONET