Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët të ruajnë distancimin fizik, nga institucionet me më shumë probleme në këtë situatë janë spitalet.

Në QSUT përpara hyrjeve të disa shërbimeve, pacientët që presin në radhë, pa radhë dhe pa distancë janë të shumtë.

Këtë të mërkurë (17 qershor 2020) mësohet se tre raste janë konfirmuar me qendrën e konsultave. Por pavarësisht rrezikut, grumbullimet nuk mungojnë dhe distancimi fizik nuk respektohet.

Burimet raportojnë edhe për një rast pozitiv në shërbimet e gastrohepatologjisë, ku mësohet se është një infermiere e infektuar.

Dyerve të këtij institucioni qyetetarët presin prej mëngjesit, disa me maska e disa pa maska, por të gjithë të dyndur sa më pranë hyrjes, e përtej ndërgjegjësimit të tyre askush nuk është aty për t'i shpërndarë.  

Këtë të mërkurë (17 qershor 2020)  Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 50 raste të reja, ndërsa u raportua edhe për viktimën e 38.

''Gjatë 24 orëve të fundit në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik janë testuar 333 qytetarë të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilët janë konfirmuar 50 raste pozitive.''

Një rritje të ndjeshme ka pasur edhe numri i të shtruarve ën spitalin infektiv.

''Aktualisht në shërbimin infektiv janë 53 pacientë të shtruar, 9 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 3 prej tyre janë të intubuar.''

QSUT-ja është kthyer në një vatër të rrezikshme të përhapjes së koronavirusit, ndërsa shërbimet e prekura që prej përhapjes së pandemisë janë neurokirurgjia, hematologjia, Francezi, kirurgjia, urgjenca qendrore dhe së fundmi qendra e konsultave dhe gastrohepatologjia.

/Ora News.tv/