Rriten kreditë e vonuara, BSH: Niveli i huave të këqija arrin në 11.46 % të totalit

Rriten kreditë e vonuara, BSH: Niveli i huave të këqija arrin

Qytetarët por edhe bizneset nuk po kthejnë në afat kreditë e marra. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ka pasur një përkeqësim të aftësisë paguese  në katër muajt e parë të këtij viti. Në këtë mënyrë niveli i huave me probleme ka arritur në 11,46 % të totalit.

Përkeqësohet aftësia paguese e kredimarrësve. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në katër muajt e fundit ka pasur një rritje të huave me probleme si nga bizneset ashtu edhe individët. Madje gjatë muajit prill kreditë e këqija kanë prekur nivelin më të lartë që prej dhjetorit të vitit të kaluar duke arritur  në 11.46% kundrejt totalit nga 11,08%.

Nëse e përkthejmë në lekë në katër muajt e parë të këtij viti, kreditë që vonohen mbi 3 muaj janë shtuar me 30 mln euro. Kjo situatë tregon vështirësitë  me të cilat po përballet ekonomia shqiptare.

Huatë me probleme u ulën ndjeshëm si rezultat i masave të marra nga Banka e Shqipërisë  si dhe fshirja e tyre nga bilancet e bankave të  nivelit të dytë. Por gjatë 2019, është shënuar sërisht tendencë në rritje e kredive të këqija. Huatë me probleme kanë qenë një ndër shqetësimet kryesore edhe të institucioneve financiare ndërkombëtare të cilat kanë bërë apel që të zgjidhet sa më parë.  Gjatë 2017 huatë me probleme arritën në nivelin më të lartë kundrejt totalit të kredive duke kapur nivelin e 13,28%, çka detyroi Bankën e Shqipërisë që të reagojë  dhe të marrë masa për të zgjidhur situatën.

EMISIONET