Enver Robelli analisti dhe redaktoi i të përditshmes zvicerane "Tages Anzeiger", në një intervistë për RTV Ora, tha se politika në Kosovë është futur në një kacafytje, duke mos menduar për të prekurit nga Covid-19.

Ai u shpreh se presidenti Thaçi është kthyer në një aktor politik dhe nuk është më një përfaqësues i popullit, pasi do që të ketë një qeveri që është dëgjuese e tij.

Robelli shtoi se Kosovës i nevojitet një qeveri teknike, me një spektër të gjerë dhe pas pandemisë të shkohet në zgjedhje.

Enver Robelli:  Në Kosovë ka një kacafytje politike që nuk është normale as në kohëra të zakonshme. Duket sikur ka pak politikanë që mendojnë për njerëzit që janë të prekur dhe të shtrirë në klinikën Infektive. Mendoj se edhe Kosova po bën shumë pak testime dhe numri i të infektuarve është shumë më i madh se sa ky që është pranuar, por duket se politikanët e Kosovës ka plane të tjera, për larje hesapesh, dhe kjo është një tragjedi. 

Mendoj se Thaçi është shndërruar në një aktor politik dhe nuk është më një përfaqësues i popullit, pasi do që të ketë një qeveri që është dëgjuese e tij, për të çuar përpara idenë e tij për një marrëveshje me Serbinë, të cilën askush nuk e di çfarë përmban, për veç tij dhe Vuçiç. Çështja është që a ka nevojë Kosova për një qeveri të re në kushtet e pandemisë, por nga ana tjetër është nëse ka legjitimitet kjo qeveri që është, ku kjo qeveri është rrëzuar në parlament. Gjëja më mirë do të ishte që të kishte një qeveri teknike, me një spektër të gjerë, dhe pas pandemisë të shkohet në zgjedhje. 

/Ora News.tv/