Rajoni gjysmautonom kinez i Hong-Kongut ka përjetuar sërish një ringjallje të protestave si ato të vitit të kaluar për më shumë pavarësi nga Kina.

Në Hong-Kong kanë rifilluar protestat antiqeveritare që vitin e kaluar zgjatën për muaj me radhë.

Përleshjet u nxitën të dielën nga vendimi i autoriteteve për të refuzuar kërkesën për një marshim qytetar me rastin e Ditës së Nënës.

Aktivistët që apelojnë për më shumë pavarësi dhe demokraci në rajonin gjysmautonom kinez e zhvendosën protestën në qendra të ndryshme tregtare, duke thirrur slogane e duke kënduar himnin e lëvizjes antiqeveritare.

Me qindra oficerë të policisë u përpoqën t'i japin fund organizimit të paligjshëm duke lëshuar gaz lotues, ndërsa disa protestues dhanë arsyet e tubimit.

"Në mesin e koronavirusit, qeveria ka kufizuar të drejtën e organizimit të njerëzve duke i vënë fre njëkohësisht si lirisë për tubime, edhe aktiviteteve fetare, çka shkel rëndë të drejtat e njeriut."

"Policia duhet të na mbrojë ne dhe shoqërinë, ndërkohë që po bëjnë të kundërtën. Kjo na prek ne dhe të drejtat e përditshme themelore tonat."

Më shumë se 250 veta u arrestuan mbrëmjen e së dielës teksa protestat u shpërndanë edhe në rrugë dhe grupe të vogla protestuesish tentuan t'u vinin zjarrin koshave të mbeturinave.

Demonstratat e para antiqeveritare u raportuan më 26 prill pas një periudhe të gjatë pushimi të ndikuar edhe nga situata me pandeminë e koronavirusit.

Kina tha javën e kaluar se forca lokale dhe të huaja po ndërhyjnë për ta destabilizuar Hong-Kongun.

Vitin e kaluar, protestat kundër ligjit për ekstradimet nisën në qershor dhe vazhduan deri në vjeshtë, pas shfuqizimit të ligjit të shumëdebatuar.

Ndërkaq, 2 milionë persona janë thirrur për të marshuar në rrugët e qytetit më 1 korrik, që shënon përvjetorin e kalimit të rajonit gjysmautonom kinez nga udhëheqja britanike te Pekini më 1997-ën.

/Ora News.tv/