E ardhmja e Mauricio Pochettinos në pankinën e Tottenham Hotspur sa vjen e ndërlikohet.

Forma e dobët që po kalojnë "gjelat" e cila kulmoi me humbjen 7-2 në shtëpi ndaj Bayern Munich ka venitur jo pak pozitat e tij në krye të londinezëve. E menjëherë pas disfatës me kampionët e Bundesligës, janë shtuar zërat se Tottenham do të marrë masa, ku shkarkimi i Pochettino shihet me interes.

Emri më i lakuar në shtëpinë e Tottenham është ai i ish-trajnerit të Juventusit, Massimiliano Allegri. Tekniku italian është aktualisht pa kontratë që prej largimit të tij nga stoli i torinezëve dhe po konsiderohet mes kandidatëve të fortë për të zëvendësuar Pochettino.

Pas 7 javësh kampionat, Tottenham gjendet në vendin e gjashtë me 11 pikë. Ndërsa, në Champions League, londinezët gjenden në vendin e fundit të grupit B me 1 pikë pas dy takimeve të para.

/Ora News.tv/