Reporterët pa Kufij kanë mirëpritur vendimin e Presidentit Ilir Meta për të kthyer në parlament për rishqyrtim paketën antishpifje. Ligji sipas organizatës ndërkombëtare është në kundërshtim me Kushtetutën dhe shihet si përpjekje e qeverisë për të kontrolluar median.

Vendimi i Presidentit Ilir Meta për të mosdekretuar paketën antishpifje është përshëndetur nga Reporterët pa Kufij.

Përmes një reagimi në twitter, organizata ndërkombëtare e cilëson ligjin si përpjekje të qeverisë për të kontrolluar median dhe që bie në kundërshtim me kushtetutën dhe konventat e të drejtave të njeriut.

‘Reporterët pa Kufij mirëpresin vendimin e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për të rikthyer në Parlament dy ligjet e të ashtuquajturës “paketë antishpifje”, që shihet si një përpjekje e qeverisë për të kontrolluar median në kundërshtim me Kushtetutën shqiptare dhe Konventat e të Drejtave të Njeriut”, thuhet në mesazh.

Ditën e dielë, Kreu i Shtetit rikthehu në parlament paketën antishpifje me argumentimin se ajo vendos nën kontroll median dhe minimizon zërin kritik.

Ligji, sipas presidentit Meta përmban elementë të censurës pasi bie ndesh me parimet kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave dhe lirisë së shprehjes, me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk është në harmoni me standardet e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kreu i Shtetit argumenton se me miratimin e këtij ligji, Kuvendi i Shqipërisë ka kapërcyer kufijtë e autorizimit kushtetues përmes kompetencave që i ka dhënë AMA-s.

Paketa antishpifje u miratua nga parlamenti më 18 dhjetor të vitit të shkuar me 80 vota pro.

Ligji i shumë debatuar u kundërshtua nga gazetarët përmes një proteste, ndërsa kritika pati edhe nga disa prej ambasadave.

Argumentet ligjore te presidentit Meta


 

/Ora News.tv/