Rekomandimi i KQZ: Zgjedhjet vendore me sistem proporcional, të votohet me 1 fletë

Rekomandimi i KQZ: Zgjedhjet vendore me sistem proporcional, të votohet me

Në një raport prej 13 faqesh, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i ka përcjellë Komisionit të Posaçëm Parlamentar disa propozime të rëndësishme në lidhje me reformën zgjedhore.

Të ndara në disa kategori, ku më kryesoret ishin forcimi i sistemit zgjedhor, financimi i partive politike dhe për pasqyrimin e fushatës në media, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve propozon që në zgjedhjet e ardhshme vendore sistemi zgjedhor të jetë proporcional në nivel bashkie.

Pra votimi të bëhet me një fletë duke votuar vetëm për partinë dhe jo për kandidatin.

"Një sistem zgjedhor proporcional vendor do përforconte efektin dhe do i plotësonte më shpejt objektivat politiko ligjore të sistemit zgjedhor të ri; Një sistem unik votimi për zgjedhjet vendore do të thotë një votim, në vend të dy votimeve që kemi sot, një fletë votimi në vend të dy fletëve".

Kjo do të thotë që kryetarin e bashkisë nuk e zgjedhin direkt qytetarët por këshillatrët bashkiakë që përbëjnë shumicën.

Qëllimi i kësaj sipas KQZ është të eliminojë dualitetin e pushtetit Kryetar - Këshill Bashkiak, i cili jo në pak rastë është bërë burim konfliktualiteti ose krizash qeverisjeje në nivel lokal.

"Demokracia vendore në Shqipëri dukshëm ndjen sot nevojën për rritjen e përgjegjësive dhe rolit të këshillave, shndërrimit të tyre në “parlamente” të mirëfillta vendore, si dhe shndërrimin e kryetarëve në ‘ekzekutiv” të mirëfilltë, i cili votëbesohet dhe eventualisht humb votbesimin e këshillit". 

Për sa i përket pasqyrimit të fushatës në media, KQZ rekomandon që Bordi i Monitorimit të Mediave të ngrihet shumë kohë përpara zgjedhjeve për të mos lejuar pasqyrimin e  aktiviteteteve elektorale të partive të cilat nisin shumë më herët se 30 ditët e parashikuara.

"Kodi Zgjedhor duhet të parashikojë një formulim të qartë të ndalimit të pasqyrimit në media të veprimtarive me karakter elektoral, jashtë perudhës së fushatës zgjedhore dhe sanksionet përkatëse në rast të shkeljeve së tyre".

Në fushatë përfshihet edhe portalet online për të cilat KQZ kërkon që të kenë pronësinë dhe përgjegjësinë ligjore të qartë dhe nëse nuk i kanë, kjo mund të sjellë mbylljen e tyre

Financimi i Partive Politike është një detyrë e vësjtirë që KQZ e ka të pamundur ta kryjë e vetme. Në rekomandimet e saj, Komisioni kërkon që të ulet pragu i donacioneve që i bëhen partive nga 1 milion lekë të vjetra në 150 euro.

"Pragu prej 1 mln lekë është shumë i lartë dhe lë shteg që të pengohet bërja e transparencës së burimeve të financimit nën këtë shumë. Pragu deri në 150 euro, sa paga minimale, i shërben ndjeshëm më mirë nevojës për transparencë që kërkon sot Shqipëria".

Nisur nga problematika e zgjedhjeve të kaluara ku u shkelën të gjitha afatet e regjistrimit të partive politike në zgjedhje, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve kërkon që të rishikohen afatet e regjistrimit të partive për të mos rrezikuar më.

Një tjetër propozim lidhet me depolitizimin e komisionerëve partiakë në votim dhe numërim dhe uljen e numrit të grupeve të numërimit nga 4 në 3.

KQZ propozon që nëse partitë politike nuk kanë besim tek komisionerët e tyre mund t'i shkarkojnë por pa të drejtë zëvendësimi.

Zëvendësimi i tyre do të bëhet nga specialistë të trajnuar që do t’i emërojë KQZ.

EMISIONET