Palët politike në vend do të rikthehen në tryezën e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore të martën.

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, i cili është pjesë e kësaj tryeze, deklaroi në një intervistë për Ora News se ka vullnet politik dhe lëndë të parë në tavolinë, por me rëndësi sipas tij është që PS të lëvizë nga pozicioni i saj refuzues dhe imponues i gjithçkaje.

Sa i takon opozitës, thotë ai, ka gatishmëri për të ecur përpara dhe për ta përmbyllur këtë proces të rëndësishëm brenda këtij muaji.

Petrit Vasili: Ra një heshtje e plotë gjatë pandemisë, një heshtje çuditërisht edhe nga mjaft ndërkombëtarë që tregojnë një entuziazëm të çuditshëm nga disa deklarata që vinë nga PS  ndërkohë që insistimi ynë për ta mbledhur Këshillin, për të ikur nga apatia, nga bllokimi i tij për dy muaj e gjysmë pa asnjë njoftim dhe pa asnjë shkak nuk u tërhoqi vëmendjen ndaj besoj se nganjëherë këto ekzaltimet e ndërkombëtare duke shumë false. 

Por mendoj se ka vullnet, ka lëndë të parë në tavolinë, por duhet patjetër që PS, Rilindja, të largohet nga pozicionimi i saj shumë negativ dhe malinj i refuzimit të gjithçkaje, i imponimit dhe nga strategjia që ka marrë përsipër prej kohësh për ta zvarritur dhe për të justifikuar votimin e njëanshëm ashtu siç do. Kjo është një strategji fatale për të, do të jetë shkatërrimtare pasi asnjëri nuk ka ndërmend më të falë votën. 

Edhe për çështjen e reformës zgjedhore duhet të jenë të përgjegjshëm që ata kanë qenë shkaktarët e shkatërrimit të votës së lirë që kanë prodhuar këtë situatë më të rëndën që vendi pa pasur ndonjëherë. Duhet të heqin dorë, opozita është e gatshme dhe konstruktive që të vazhdojë përpara për ta mbyllur me 31 maj këtë çështje të rëndësishme.

Ndërsa shembja e Teatrit Kombëtar u lexua si një provokim nga kryeministri Rama për çuar opozitën drejt bojkotimit të reformës, Vasili këtë tentativë e sheh shumë më herët.

Petrit Vasili: Do ishte një gjë e paramenduar nëse kjo do të ishte çmenduria e parë e Edi Ramës. Por kjo është çmenduria e radhës, patjetër kulmi i kësaj çmendurie se me teartrin nuk u shemb teatri por u shembën themelet e shtetit ligjor. Do të mjaftonte një nga shkeljet që kjo qeveri të ikte brenda ditës. Shkelje skandaloze që mund të thuash me gojën plot që në Shqipëri nuk ka shtet ligjor. Por për mua provokimi më i rëndë që bë reformës zgjedhore ishte kur Edi Rama para se të bënim mbledhjen e radhës deklaroi publikisht që nuk më interesojnë fare propozimet e opozitës.

Lidhur me ndryshimin e sistemit zgjedhor, Vasili thotë se pa vënë në zbatim qeverinë kujdestare nuk mund të garantohet liria e votës.

Petrit Vasili: Është një nga temat, është diskutuar në një mbledhje, janë paraqitur 3-4 variante.Është bërë një analizë e tyre pasi kërkojnë ndryshime kushtetuese. Ne i kemi provuar pothuajse të gjitha llojet e sistemeve. Sistemet kanë hyrë në krizë menjëherë kur kriminalizimi i votës ka bërë vend. Sistemet nuk zgjidhin lirinë e votës.Propozimi që kemi bërë ne për një qeveri kujdestare 100 ditore deri kur Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE ka qenë një propozim për të ruajtur këto garanci. Pa këto garanci çdo sistem është i rrezikuar dhe i rrënuar.

/Ora News.tv/