Reforma zgjedhore, Bushati: Jemi në limitet kohore, duhet miratuar një orë e më parë

Reforma zgjedhore, Bushati: Jemi në limitet kohore, duhet miratuar një

Implementimi i rekomandimeve të OSBE-së në kodin e ri zgjedhor ishte një nga kriteret e Këshillit të Europës qershorin e kaluar për Shqipërinë.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, thotë se jemi në limitet kohore dhe mazhoranca kërkon një orë e më parë të miratojë paketën e akteve që reflekton një më një të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR për ti dhënë mundësi zbatimit të saj në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Rekomandimi kyç kishte lidhje me depolitizimin, tha Bushati dhe platforma që është përgatitur në këtë drejtim reflekton qartësisht rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Por Bushati tha se ndryshimet në kodin zgjedhor kërkojnë  kontributin e të gjithë partive parlamentare për tu miratuar në Kuvend.

Pyetje nga gazetari i Ora News, Sonil Frashëri: Zoti Ministër, sa i përket procesit të integrimit, një nga kriteret e Këshillit Europian qershorin e kaluar ishte dhe implementimi i rekomandimeve të OSBE-së në kodin e ri zgjedhor. Pak ditë më parë bashkëkryertari Bledi Çuçi tha se mazhoranca do të vazhdojë e vetme sepse opozita e ka bojkotuar.Duke qenë se nuk ka konsensus për këtë a vihet në rrezik procesi i integrimit?

Një pyetje për Ministren Kneissl, duke nisur nga kjo situatë ku opozita ka bojkotuar parlamentin dhe reformën zgjedhore, duke  thënë se nuk ka zgjedhje nëse nuk bëhet një vetting në politikë, a është e gatshme BE të vijë dhe të zgjidhë një krizë tjetër politike në Tiranë?

Karin Kneissl: Nuk mund të bëj koment për këtë çështje pasi nuk kam dijeni.

Ditmir Bushati: Theksoj angazhimin e qeverisë shqiptare për të qenë së bashku në këtë proces. Ju i referoheni reformës zgjedhore, po komisioni bipartizan i ngritur në Kuvend me ekspertizën që është vënë në dispozicion nga qeveria gjermane ka bërë një propozim fillestar sa i përket përkthimit të rekomandimeve të OSBE-ODIHR në një kuadër legjislativ të mundshëm i cili kërkon një shumicë të cilësuar të votave në parlament. Pra kërkon kontributin e të gjithë partive parlamentare për tu miratuar.

 Si Ministër i Jashtëm, i kam kërkuar OSBE-ODIHR të jetë i përfshirë në të gjitha fazat që kanë të bëjnë me hartimin e  reformës zgjedhore dhe në zbatimin e saj. Jemi në limitet kohore dhe në këtë kontekst duam një orë e më parë të miratojmë këtë paketë aktesh që reflekton një më një të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR për ti dhënë mundësi zbatimit të kësaj paketë në zgjedhjet e ardhshme vendore. Rekomandimi kyç kishte lidhje me depolitizimin, menaxhimin në mënyrë jopartizane të procesit zgjedhor dhe platforma që është përgatitur në këtë drejtim reflekton qartësisht rekomandimet e OSBE-ODIHR.

 E njëjta ofertë e qeverisë, e kryeministrit Rama drejtuar opozitës vlen dhe për çështjet e tjera.Nga njëra anë gëzohemi kur dëgjojmë për ekon pozitive të reformës në drejtësi, procesit të vettingut i cili po operon dhe në shkallë të tjera të gjyqësorit, nga ana tjetër duhet të punojmë së bashku për ti dhënë mundësi magjistratëve të rinj të studiojnë tek shkolla e magjistraturës dhe të kemi një strategji të përbashkët sesi do të jetë sistemi i drejtësisë nga pikëpamja e burimeve njerëzore në 2, 5 apo 10 vitet e ardhshme. Në këtë kontekst jo vetëm ndihma por  imputi i opozitës është i domosdoshëm për aq kohë sa një parti politike e konsideron veten alternativë ndaj qeverisë.

EMISIONET