Reagimet për takimin në Bruksel, Kurti: Thaçi dhe Veseli, kolaboracionistë të Serbisë

Reagimet për takimin në Bruksel, Kurti: Thaçi dhe Veseli,

Drejtues të opozitës në Kosovë thanë se Hashim Thaçi nuk ka patur mandat për të takuar Presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi thotë se Kosova nuk duhet të nënshtrohet në bisedimet me Serbinë.

Opozita në Kosovë e konsideron takimin e së enjtes mes presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiç, një takim të pamandatuar dhe jolegjitim.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, akuzoi presidentin Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, si kolaboracionistë dhe vegla të Serbisë, që me veprimet e tyre vetëm po ndihmojnë planet për marrjen e veriut të Kosovës.

Edhe për shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, zhvillimi i dialogut mes dy palëve pa një platformë të dakordësuar, e ka bërë procesin të pabesueshëm.

Ai kërkoi mbështetje politike për rezolutën që i heq Kreut të Shtetit të drejtën për të diskutuar ndarjen e territorreve, përndryshe përballja me qytetarët do të jetë e pashmangshme.

Ndërkohë, për ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, Kosova nuk duhet të tregohet e nënshtruar në bisedimet me Serbinë, pasi fqinji i tyre verior njeh vetëm gjuhën e forcës.

Vetë palët e përfshira në dialog, Thaçi dhe Vuçiç, thanë dje pas takimit se ekziston ende një mundësi e vogël që dy vendet do të arrijnë të shoshitin mosmarrëveshjet.

Por, ideja e realizimit të një akordi brenda majit të vitit tjetër, kur përfaqësueses së lartë për politikën e jashtme në BE, Frederica Mogherini, do t'i skadojë mandati, duket ende larg.

EMISIONET