Ramadani: Nëse nuk ka njohje reciproke, Kosova nuk nënshkruan marrëveshjen me Serbinë

Ramadani: Nëse nuk ka njohje reciproke, Kosova nuk nënshkruan

Zgjedhjet e të dielës që lamë pas në Serbi përveçse betonizuan rolin e Vuçiç në politikën serbe me 190 mandate deputetësh në Kuvend, shënuan një rezultat historik edhe për shqiptarët.

Pesë partitë shqiptare që garuan nën siglën e "Luginës së Bashkuar" në Preshevë arritën  të marrin 1% të votave, që do të përkthehet me 3 ose 4 deputetë në parlamentin serb.

Analisti, Shkodran Ramadani, në një lidhje me skype për Rtv Ora thotë se përfaqësimi sado modest, është një lajm i mirë.

Ai vlerëson se Shqipëria e shfrytëzoi më së miri mungesën e opozitës serbe në zgjedhje, duke bërë bashkë në një platformë partitë shqiptare.

Ramadani: Fitorja e thellë e Vuçiç do ta bëjë atë më dominant. I fundit që kishte një përqindje të tillë në zgjedhje ishte Zoran Xhinxhiç në vitin 2000. Serbia po shkon drejt autokracisë. Sa i përket faktorit shqiptar, zgjedhjet e djeshme janë lajm i mirë, si asnjëherë më parë shqiptarët do të kenë 3 ose 4 përfaqësues. Është avancim i pozicionit, sado modest. Mosdalja në zgjedhje e disa partive opozitare automatikishrt e ka faktorizuar votën shqiptare, Shqipëria e ka shfrytëzuar për mrekulli.Përmes një roli proaktiv të ministrit Cakaj, Shqipëria ka luajtur rol vendimtar në bashkimin e partive shqiptare në një listë të përbashkët.

Testi i radhës për shqiptarët do të jetë Maqedonia.

Ramadani: Është një situatë shumë më sfiduese pasi partitë shqiptare janë shumë më të fuqishme dhe kanë ambicie më të mëdha, si të tilla do të jetë shumë e vështirë të shkruhen të gjitha brenda një platforme të përbashkët.

Këtë fundjavë, e shtunë  27 qershor, Kosova dhe Serbia do të rikthehen në tryezën e dialogut në Shtëpinë e Bardhë.

Ramadani nuk ka pritshmëri të mëdha nga takimi në Uashington, duke e konsideruar më shumë si një zhbllokim të palëve nga pozicionet e tyre ekstreme.

Ramadani: Në Kosovë kemi një qeveri që është plotësisht në favor të dialogut në kordinim me Presidentin dhe në Serbi do të kemi një qevri shumë shpejt që do ti përgjigjet pozitivisht dialogut të SHBA. Pres që ky fillim dialogu të zhbllokojë palët që janë mbyllur në pozicionet e tyre ekstreme. Pres fillimin e negociatave me ndonjë marrëveshje teknike, që të hapin shtegun për avancimin dhe rritjen e dozës së negociatave që në mund të kurorëzoheshin me një njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka deklaruar se në Uashington do të diskutohen projekte ekonomike dhe qeveria që ai drejton po zhvillon ide lidhur me disa projekte infrastrukturore.

Analisti i sheh pozitive këto projekte, por jo ilaçi me të cilin do të mund të shërohen plagët e Kosovës dhe Serbisë.

Ramadani: Marrëveshjet ekonomike nuk bëjnë dëm, kontribuojnë por janë të pamjaftueshme për shkak se kontesti mes Kosovës dhe Serbisë në thelb është politik.Asnjë pako ekonomike pavarësisht miliardave që mund të përmbajnë pa një plan të qartë dhe efektiv politik për përmbushjen e aspiratave të popujve në Kosovë dhe Serbi nuk besoj se ekonomia është ilaçi me të cilin shërohen plagët e Kosovës dhe Serbisë.

Albin Kurti, edhe pse me partinë më të votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare ka mbetur pa zë në negociata.

Ramadani: Fakti që ai nuk do të jetë pjesë e negociatave kjo nuk do të thotë se do të ketë rol më të zbehur brenda, është normale të presim edhe protesta të cilat besoj se nuk i bëjnë dëm Kosovës nëse nuk përshkallëzohen në dhunë. Tubimet dhe protestat vetëm sa betonojnë pozicionin e Kosovës në tavolinën e bisedimeve në një dozë të matur.

Sa i takon palës serbe, në vijim ka pasur deklarata jo shumë inkurajuese si nga Vuçiç ashtu edhe nga Daçiç.

Ramadani thotë se nëse marrëveshja finale nuk do të kurorëzohet me njohje reciproke, Kosova nuk do ta nënshkruajë.

Ramadani: Deklaratat e Vuçiç dhe Daçiç kanë qenë të përziera. Në disa momente ai ka thënë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën as në këmbim të anëtarësimit europian, por në raste të tjera ka pasur deklarata viktimizuese dhe vajtuese ku Vuçiç shprehet se njohja e Kosovës është e detyrushme edhe e pandalshme për shkak të trysnisë së SHBA dhe Europës. Mos të harrojmë se deklaratata kanë qenë para zgjedhjeve. Pritet të shihet si do të rrjedhin gjërat në SHBA, aty do të shihet sa ka avancuar Serbia në politikën e saj ndaj Kosovës.  Nëse nuk ka njohje Kosova nuk do ta nënshkruajë një marrëveshje përfundimtare. Njohja do të mënjanonte gjithë burimin e konfliktit.Nëse marrëveshja është e pafavorshme nuk duhet të nënshkruhet. Gjithçka tjetër nënkupton riprodhim të konflikteve.

Takimi i 27 qershorit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington është thirrur nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell.

Kosova dhe Serbia takohen pas një ndërprerje të gjatë të dialogut mes tyre, për shkak të vendosjes së një tarife nga Prishtina zyrtare ndaj mallrave serbe në fund të vitit 2018. Më pas kjo tarifë u zëvendësua me masa reciprociteti nga qeveria Kurti.

Intervista në studio me gazetarin Xhoi Malësia, përgatiti për online Besjana Kuçana

EMISIONET