Rama për Vuçiç: Nuk negocion dot në perëndim për shqiptarët, mos prisni keqardhje nga ai

Rama për Vuçiç: Nuk negocion dot në perëndim

Një muaj pasi mori detyrën si kryeministër në Kosovë, Avdullah Hoti, zhvilloi vizitën e parë zyrtare në kryeqytetin shqiptar. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Hoti konfirmoi se nuk do të presë procesin gjyqësor ndaj presidentit Hashim Thaçi, por fatin e dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e SHBA-ve do të marrë vetë nën përgjegjësi.

Hoti: Kosova ka institucione legjitime, kushtetuese të gatshme, që të marrin përgjegjësitë që i takojnë, jam në koordinim me ambasadorin Grenell për të caktuar një datë për të filluar procesin e dialogut me një axhendë fillimisht ekonomike dhe më pas politike të dialogut duke u nisur nga parimet tona, ne hyjmë për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Dialogu nuk ka alternativë. 

Prandaj sa herë që ftohem në SHBA dhe Bruksel do të shkojë të përfaqësoj shtetin e Kosovës. Për të protestuar është e drejtë se secilit, por ne kulturë politike dhe institucionale për të respektuar obligimet ndërkombëtare dhe këtë radhë do të sillemi njëlloj, se kur organet e rendit e ngrenë një çështje nuk pengojmë por përballemi me ato.

Rama: Kush do të ishte pala më e interesuar që të mos ketë dialog, është shumë e thjeshtë, Serbia. Është shah, nuk është boks.

Deklaratën e Presidentit serb se nuk do të negociojë me shqiptarët por me Perëndimin, miku i tij Edi Rama pasi e cilësoi si provokim, ai dha edhe recetën sesi Vuçiç do të ulet në tryezë me shqiptarët.

Rama: Nuk ka shans që të negociojë me Perëndimin për shqiptarët. Nëse ne jemi një, Presidenti i Serbisë mund të shkojë në Perëndim, mund të shkojë në Lindje, mund të shkojë  në Hënë por në fund do të ulet me ne, autoritetet e shtetit sovran të Kosovës, që e njeh apo nuk e njeh ai, është sovran dhe i paprekshëm në sovranitetin e vet dhe me ne në Tiranë që do të mbështesim deri në fund, Prishtinën. Por, përballë deklaratave të tilla provokuese ka dy rrugë, njëra barrikadimi, tjetra përballimi. 

Barrikadimi është në dëmin tonë, jo në dëm të Serbisë. Përballimi sy më sy dhe drejt për drejt me mjetet e paqes, është sfida jonë, fiton kush është më i mençur dhe të tregojë forcën e mendjen dhe të largpamësisë. Nuk fiton kush bën të fortin me Facebook apo deklarata përçarëse duke shfrytëzuar emocione apo konjuktura të brendshme që po shpëton atdheun nga tradhtarët.

Nuk mund të jemi ndarë dhe të sherrosemi për interesin strategjik dhe pjesë thelbësore e këtij interesi është procesi i dialogut për të arritur në njohjen përfundimtare. Çfarë presim ne? Që Presidenti i Serbisë të deklarojë që do njohë Kosovën, apo presim që Presidenti të tregojë se ndjehet keq që ne nuk jemi në gjendje të flasim me një zë. Mos i prisni këto, nuk kanë për të ndodhur derisa të ndodhin. Kjo është një luftë diplomatike, është shah, nuk është boks. Ne e kemi shumë të lehtë të biem në gracka banale siç është ajo e një grupi që qenka e angazhuar në një pazar për të ndarë Kosovën edhe e një grupi që ta mbrojë Kosovën nga armiku i brendshëm.

Deklarata e Vuçiç ditën e djeshme (2 korrik).

“Të njohim pavarësinë e Kosovës – këtë harrojeni. Nuk shoh zgjidhje. Kur e kam parë, të gjithë më janë hedhur në qafë”.

Kreu i qeverisë shqiptare pasi kritikoi drejtësinë ndërkombëtare, thumboi dhe vendet anëtare të BE-së që nuk kanë dhënë "ok" për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Rama: Është një turp për BE që sot e gjithë ditën mban peng një popull, i vetmi popull i marrë peng në kontinetin tonë që ende ndalohet të lëvizë lirisht. Arsyeja është në politikën e brendshme të BE.

Pas takimit të delegacioneve dy palëshe mes Prishtinës dhe Tiranës, Kryeminstrat kanë rënë dakord që të shtyhet sërish mbledhja e përbashkët dhe nëse do të ketë përmirësim të situatës me Covidin, në nëntor pritet të mbahet Kongresi i autoriteteve vendore mes dy vendeve.

Rama: Afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës mes dy qeverive në gjysmën e dytë të shtatorit.

Edi Rama e pranoi që ka ende marrëveshje që kanë mbetur pezull, por homologu i tij kosovar rendi tre projekte madhore mes dy shteteve.

Hoti: Porti i Durrësit të ketë një pikë doganore ku mallrat të hyjnë në territorin e Kosovës. Së dyti në fushën e energjisë duke konsideruar edhe ndërtimin e një Hidrocentrali në territorin e Shqipërisë për të furnizuar me energji elektrike Kosovën. Dhe projekti i madh, hekurudha.

Kryeministri i Kosovës Hoti gjatë vizitës së tij në Tiranë ka zhvilluat takime me presidentin Ilir Meta dhe kreun e PD-së Lulzim Basha.


EMISIONET