Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se Kuvendi nuk do të njohë asnjë dekret për shpërndarjen e parlamentit.

Në përgjigje të gazetares së Ora News mbi datën 15 mars, që Presidenti i la mazhorancës si kohë reflektimi ndaj dekretit të firmosur sot për kthimin e ligjit për betimin e gjyqtarëve të Kushtetueses përpara aktit ekstrem të shpërndarjes së Kuvendit, Rama tha se Kreut të Shtetit nuk i ka mbetur  më asgjë si President dhe se ai sipas kryeministrit çeli fushatën brenda opozitës.

Edi Rama:  Ku është e reja këtu? Sot Komisioni Europian, i riu, ka dhënë rekomandimin për hapjen e negociatave të Shqipërisë në BE, duke publikuar një progresraport që përforcon rekomandimin e vitit të shkuar. Ky është lajmi për mua sot. Dhe ndërkohë ka dhe një konçidencë, shkojmë në Bruksel dhe marrim një mbështetje të jashtëzakonshme, duke siguruar financimet e nevojshme dhe po atë ditë presidenti që sot president nuk ka asgjë del dhe shpërthen para jush si minë e programuar për të bërë atë gjë atë ditë. 

Sot del një raport në Bruksel që normalisht duhet ta gëzonte një President të Republikës por që ta hidhëronte në pikën që të rishpërthejë para të gjithëve ëshë për të qarë. Për mua është diçka e pritur dhe jo befasuese.

Presidenti i Republikës nuk mund të firmosë dekrete të tilla ndërsa Iliri që nuk ka asgjë për Presidentin më dhe sot ka çelur një fushatë brenda opozitës mund të firmos dhe dekret për ti shpallur luftë ShBA por parlamenti nuk do ta njohë. Lajmi i mirë sot është që Shqipëria reale ka marrë një tjetër mbështetje në Bruksel, ndërkohë  që Shqipëria e cila po bën gjithë këtë progres po bëhet gjithmonë e më shumë një problem për ata që u mblodhën sot në shesh. Lajmi i keq sot është që PD u kthye në një servis figurantësh për Presidentin.

Lidhur me aministinë fiskale, shefi i qeverisë tha se ka një plan konkret.

Rama: Do të flasim në vijim. Patjetër që kemi plan konkret. 


/Ora News.tv/