Opozita pas takimit me Ramën: Nuk votojmë kodin e ri zgjedhor pa u plotësuar kërkesat tona

Opozita pas takimit me Ramën: Nuk votojmë kodin e ri zgjedhor pa u

Pas thirrjes së deputetit Myslym Murrizi, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim prej 30 minutash me opozitën parlamentare gjatë pasdites së sotme, 7 korrik 2020.

Takimi, që nisi në orën 19:14 në ambjentet e kryesisë së Kuvendit, erdhi pas kërkesave për listat e hapura dhe ndryshimet kushtetuese.

I përpiktë me orarin ishte deputeti Myslym Murrizi i cili mbërriti gjysmë ore para takimit.

Pas tij, takimit i janë bashkuar edhe deputeti Edmond Stojku dhe Rudina Hajdari.

Opozitës iu desh të presë disa minuta pasi Rama mbërriti në kryesi rreth çerek ore me vonesë nga orari zyrtar.

Në mbyllje të takimit, deputetja Rudina Hajdari deklaroi se opozita parlamentare do ta kushtëzojë votën për miratimin e kodit të ri zgjedhor me hapjen e listave.

Hajdari: Marrëveshja i shërbeu integrimit të Shqipërisë dhe riktheu në sistem PD-LSI por nuk është një marrëveshje e plotë. Sot kemi edhe kontrollin e parlamentit sepse Edi Rama nuk i ka votat për atë marrëveshje.Nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë. Padiskutim që do ta kushtëzojmë, jemi 29 deputetë plus të tjerë që nuk janë shprehur që do ta kushtëzojmë votën. Pa  patur lista të hapura, ndryshime kushtetuse që garantojnë që në zgjedhjet e ardhshme do të shkojmë me lista të hapura nuk ka shans që ne të votojmë. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim me kërkesat tona. Do ti imponohemi mazhorancës sepse nuk i kanë votat. Jemi unison e gjithë opozita parlamentare dhe nuk lëshojmë asnjë cm.

Hajdari nuk përjashton mundësinë e rrjedhjes së votave në radhët e opozitës por insiston se do të jetë e vështirë.

Hajdari: Ka presione nga të gjitha anët. Ke edhe deputetë që mund të imponohen apo të ndryshojnë mendjen e tyre. Kjo ndodh në demokraci. Por do ta shikojmë me votë. Unë si deputete bashkë me kolegët kemi qenë shumë të qartë për kërkesat tona. E shikoj shumë të vështirë që këta individë që kanë ardhur në këtë parlament, i kanë baltosur, të votojnë nën presionin e dikujt tjetër është e vështirë. Reforma zgjedhore duhet tu japë mundësi të gjithëve të garojnë në zgjedhjet e ardhshme, a do të votohet Rudina Hajdari është një gjë për tu parë. Edhe nëse hapen listat nuk më jep garanci as mua, as Myslim Murrizit apo dikujt tjetër. Por ne zgjedhim të reformojmë sistemin zgjedhot që qytetarët të kenë mundësi të votojnë atë që kanë dëshirë. Nuk tërhiqemi fare nga kjo kërkesë.Ata janë të detyruar të ulen me ne dhe të flasin për kërkesat tona.

Të njëjtin qëndrim përsëriti edhe Myslim Murrizi.

Murrizi: Nuk votojmë asnjë lloj pazari që kërkon tu shitet shqiptarëve si marrëveshje në kurriz të sovranitetit të votës të qytetarëve shqiptarë. Ata kanë hall pushteti.Nuk votojmë asnjë lloj buzëkuqi apo arnimi të kodit zgjedhor nëse nuk preket neni 68 i Kushtetutës, nëse nuk hapen listat e kandidatëve për deputetë dhe nëse nuk shkojmë drejt zbatimit  pikë për pikë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR që thotë administratë zgjedhore dhe jo militantë në kutinë e votimit që rezultati të jetë i pa paragjykuar. Ramës i bëmë të qartë që mund ta vazhdosh sa të duash pazarin me ata që janë jashtë por votat janë në opozitën parlamentare dhe nuk votojmë asgjë jashtë atyre që kemi kërkuar. Rama nuk është pro hapjes se listave, njëlloj si Basha dhe Kryemadhi që nuk i duan shqiptartët si zgjedhës por si votues. Presioni jonë në funksion të votës që kemi, shpresoj dhe besoj te uniteti i deputetëve të opozitës që do ta ulim me këmbë në tokë edhe Ramën edhe 74 deputetët që ka në kuvend.

Të pyetur nëse do të kenë një takim tjetër me Ramën, ata u shprehën:

Hajdari: Do të shikojmë, procesi është një proces negociimi dhe nuk do të lëshojmë asnjë cm.

Murrizi: Nuk besoj se jemi zemëruar.

Ky ishte  takimi i dytë i kryeministri Edi Rama me përfaqësues të opozitës parlamentare.

Lexo edhe-Rama: Jemi të gatshëm për të diskutuar një konsensus trepalësh, jo të gjithë marrin atë që duan

EMISIONET