Vijon përplasja në distancë mes Kryeministrit dhe Rektorit. Kreu i qeverisë u shpreh edhe njëherë kritik për titujt akademikë, ndërsa i konsideroi shalqinj doktorët e shkencave. Rama paralajmëroi ndërhyrjen e qeverisë në autonominë universitare, në rast se nuk do të zgjidhen problemet që janë kompetencë institucionale e tyre. 

Degjenerojnë akuzat që Kryeministri Rama po bën me ata pedagogë që zotërojnë  titullin akademik doktor i shkencave. Në një takim me studentët ekselentë Rama i ka cilësuar një pjesë të atyre që kanë titullin e doktorit të shkencave si shalqinj. Kreu i qeverisë sulmoi për të disatën herë rektorin se nuk ndërhyn në rishikim e titujve akademikë të atyre që i quajti sharlatanë.

Rama: Ka shumë nga ata që janë brenda dhe ju shfaqen si profesorë dhe doktorë, por që janë sharlatanë dhe titujt i kanë pa asnjë vlere dhe baze. Jo sepse duhet thënë për politikë, por unë e besoj që shumica e pedagogëve janë në vendin e duhur dhe janë me meritë. Ama një pjesë ca profesorë  janë ata? Doktor shkencash, u bënë doktorët e shkencave sikur janë shalqi. Në çdo cep rruge gjen shalqi.

Për kontrollin e performancës së pedagogëve, Rama ftoi studentët që ta bëjnë një gjë të tillë.

Rama: Ju keni kërkuar vlerësimin e performancës së pedagogëve nga studentët. E bën gjithë bota. Studentët duhet të kenë të drejtë të vlerësojnë performancën e çdo pedagogu, njëherë në vit. As për këtë nuk po bëhet. Pse? Sepse po të bëhet asnjë nuk e kalon klasën në votimin e studentëve. 

Rama u ndal edhe te tregtia e librave në auditore, ku edhe në këtë rast akuzoi universitetin se nuk ka bërë asgjë për ta parandaluar.

Rama: Tjetra është tregtia e librave. Me ble ti libra që të marrësh notën. Asnjëgjë nuk po bën. Mirë kjo, por edhe biblioteka dixhitale peng sepse nuk kemi teknologji. 

Ne nuk do të presim shumë gjatë. Ne do ndërhyjmë edhe në ligj po qe nevoja sepse nuk mund ti leme peng. Siç kanë filluar disa shenja pozitive, të vazhdojë kjo punë dhe këto gjëra të adresohen dhe të marrin një integritet procesi i mësimdhënies. 

Sa i përket Programit Kombëtar të Praktikave të Punës kreu i qeverisë u shpreh se vëmendja do jetë kryesisht tek ata që kanë përfunduar studimet me nota të larta për të fituar eksperiencë.


/Ora News.tv/