Pasi votoi në mënyrë elektronike për delegatet e Kongresit, Kryeministri Edi Rama e pranoi që votimi elektronik është i mundëshm për zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Një ditë pas deklaratave të Presidentit për shpërndarje parlamenti, Kryesocialisti u shpreh i sigurt se Ilir Meta është në anën e gabuar të historisë, ndërsa qeveria ka mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Mesazhet dhe ironitë mes mazhorancës dhe Presidentit vijojnë të përcillen në distancë duke i kujtuar njëri-tjetrit vijat e kuqe.

Pas deklaratës së Ilir Metës se me një dekret mund të shpërndahet Parlamenti, Kryeministri Rama kërkon të distancohet, pasi sipas tij lufta e Presidentit është me drejtësinë dhe jo më të.

Rama: Më kujton atë që ju kam thënë më parë Xhike Qamilin sa të kem këtë atë katund nuk pyes për Francën e Anglinë. Unë nuk dua që ne të përfshihemi në këtë konflikt si dy palë që japin e marrin bam e bum për dy çështje që nga njëra anë janë shumë të qarta nga ana tjetër i përkasin çështjeve legjitime dhe ligjore. Gjithcka që mund të bënim e bëmë dhe e kemi bërë të linjëzuar 100% nga ata që janë mbështetësit dhe garantët e reformës në drejtësi. Ne jemi në anën e duhur të historisë, fatkeqësisht Ilir Meta është në anën e gabuar të historisë.

"Votimi elektronik, i papenetrueshëm nga forcat e errëta"

Pasi votoi për delegatët e kongresit duke përdorur sistemin elektronik, kryesocialisti Edi Rama nga selia rozë e shikon të mundshëm edhe për zgjedhjet parlamentare dhe lokale, por jo për votimet e ardhshme.

Edi Rama: Ne kemi përgatitur një proces të tërë përpara zgjedhjeve që kaluan, zgjedhjeve vendore, shumë kohë më përpara për të qenë të gatshëm ti përgjigjemi pozitivisht një kërkese të shumë përsëritur të shumë kënduar, pastaj të harruar, njësoj siç u harrua edhe Himni Kombëtar, për votimin elektronik. Na ka rezultuar i mundshëm. 

Natyrisht për ta shtrirë në gjithë Shqipërinë duhet ta kishim pilotuar në zgjedhjet që shkuan, por ju e dini historinë e zgjedhjeve që shkuan. Kështu që mbetet për tu parë në të ardhmen. Është absolutisht votim i mundshëm. Nuk është online, është offline është mekanik dhe i papenetrueshëm nga forca të errëta.

"Të ashpërsohet ndëshkimi penal!"

As me organizimin e ri, PS do ta ketë të pamundur të shpëtojë nga kandidatët që mund të kenë probleme me dekriminalizimin siç ishte rasti i Valdrin Pjetrit në Shkodër dhe Agim Kajmakut në Vorë.

Rama: E kam thënë dhe rithem të gjitha virgjireshat që thonë të kundërtën u ngjajnë përgjegjëseve të shtëpive të qejfit që predikojnë moral. Është një çështje që mund të zgjidhet vetëm përmes fuqizimit të ligjit në raport me individin duke e kthyer vetëdeklarimin e rremë në një vepër që dënohet ashpër.

Nga ana tjetër duke i çliruar partitë nga kjo barrë për të lexuar mëndjen e individëve që në mënyrë të papërgjegjshme i shmangen së vërtetës kur vetëdeklarohen përmes një ndërhyrjeje në ligj që do të japë mundësi institucioneve ligjzbatuese të bëjnë verifikime pasi partitë të çojnë listat e kandidatëve për tu zgjedhur në një kohë më përpara se fillimi i fushatës. Në një mënyrë që kur të nisë fushata të gjitha listat të jenë të verifikuara. 

Partitë nuk kanë kapacitete për të bërë punën policisë apo prokurorisë, por nga ana tjetër policia e prokuroria duhet të futen në proces më parë. Kush predikon moral është shëmbëlltyrë njësoj si ato përgjegjëset e shtëpive të qejfit që predikonin virgjërinë e vazhave që ofrojnë brenda shërbimin.

Rama njoftoi se platforma kundër KÇK do prezantohet me 25 nëntor, duke theksuar se do ngrihet mbi bazë të një ligji special që do çelë siparin e një lufte kundër krimit të organizuar dhe atyre eksponentëve të krimit që deri më sot, sipas tij ja kanë dalë të përdorin dhe të kenë në dispozicion pasuri të paligjshme.




/Ora News.tv/