Letrën që Presidenti Ilir Meta i ka dërguar Këshillit të Evropës, kryeministri Edi Rama e lexon si lobim kundër hapjes së negociatave.

Në një status në twitter, Rama thotë se për herë të parë që nga krijimi i Bashkimit Europian një president çon letra në Bruksel për të minuar urën mes Europës e vendit të tij.

"Për herë të parë në historinë e zgjerimit të BE një vend kandidat ka Brukselin PRO dhe Presidentin e vet KUNDËR vendit e KUNDËR vetë Brukselit", shkruan Rama.

Të gjitha këto reagime, madje edhe deklaratat për shpërndarje Parlamenti, Rama i shikon si frikë nga reformë në drejtësi.

"Sa nisi terapia intensive e Reformës në Drejtësi nisi dhe reaksioni me temperatura të larta në organizmin e shtetit të sëmurë prej kancerit të korrupsionit! Përpëlitjet e ethshme me bojkote, molotovë, dekrete janë thjesht pasoja të intensitetit të terapisë mbi kancerin. Shqipëria mund ta marrë mund të mos e marrë PO-në që meriton nga Këshilli Europian,po ama kurimi deri në fund i sëmundjes dërrmuese që i ka ngrënë trupin e shpirtin prej 30 vjetësh,as mund dhe as do ndalet dot me kriza të turpshme të provokuara nga terapia e Reformës në Drejtësi! shkruan Rama.

/Ora News.tv/