Rama gjen "strehë" te Calavera: Kush thotë se ka 15 kushte për hapjen e negociatave, luftë qorre me qeverinë

Rama gjen "strehë" te Calavera: Kush thotë se ka 15 kushte

Kryeministri Edi Rama vazhdon të insistojë se nuk ka 15 kushte ndaj Shqipërisë për nisjen zyrtare të negociatave.

Në një postim në facebook, ai ka ndarë një video nga diskutimi i shefes së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Genoveva Ruiz Calavera në Komisionin Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Evropian.

Rama: Për të gjithë ata që e këndojnë apo e përsërisin pasi e dëgjojnë, këngën e 15 kushteve për nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.Nuk ka 15 kushte dhe kush e përsërit atë këngë ka thjesht qëllimin politik të luftës qorre me qeverinë... Zonja Calavera flet në emër të Komisionit Europian.

Por çfarë deklaroi Calavera në Komision?

Genoveva Ruiz Calavera: Të 15 kushtet janë shumë të rëndësishme për përparimin e Shqipërisë, por unë mendoj se ne duhet t'i diferencojmë ato. Nuk janë 15 kushte për të hapur raundin e parë të bisedimeve. Ka kushte që janë shumë të rëndësishme përpara hapjes së bisedimeve dhe kushteve të tjera që duhet të plotësohen në përparimin e Shqipërisë drejt Europës. Të gjitha këto kushte do të reflektohen në procesin e bisedimeve në konferencën ndërqeveritare dhe që do të diskutohen me anëtarët e BE në Këshill.

Në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, eurodeputetët përsëritën kërkesën për plotësimin e 15 kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Jashtë vëmendjes nuk mbeti edhe fenomeni i shitblerjes së votës.

Dosja "184" dhe dosja "339" u sollën në vëmendje për të treguar se zyrtarë të lartë duhet të dalin përpara drejtësisë.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe hetimi i kujtdo që është përfshirë në shitblerjen e votave janë 2 nga 15 kushtet e BE që Shqipëria duhet të përmbushë përpara nisjes së konferencës së parë mdërqeveritare për negociatat e anëtarësimit,”– tha eurodeputeti gjerman Gahler.

Eurodeputeti Gahler përkundrejt një këndvështrimi dashamirës ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për në BE, kishte edhe një pyetje retorike: "A e dinë shqiptarët se çfarë kërkojmë ne në të vërtetë?"

Dhe për Gahlerin reforma në drejtësi ka një rëndësi thelbësore.

EMISIONET