Qeveria e plakur Rama 2

Qeveria e plakur Rama 2

Kush kish një shpresë që kryeshefi i ri, që përbetohej në fushatën e vitit 2013, se do të ishte në krah të të varfërve dhe të papunëve, le ta hedhë ku të mundet.
Kryeminstri e gdhin ose në hollet e hoteleve të shtrenjta në udhëtimet e gjata, ose në shtëpitë lluks të pasanikëve vendas, ose në tavolina, ku gëlojnë njerëz mendje shuar.
Rraca e njerzve “praktikë”, që prodhojnë para për kastën e pangopur, por që nuk prodhojnë qeverisje, që nuk kanë as vizion dhe nuk as u dhimset ndonjë nga ky vend mjeran.

Në këto 5 vite të pushtetit të Ramës, po ndodh e njejta dukuri që ndodhi edhe me pushtetin e Berishës, vite më parë, kur situata doli jashtë kontrollit të kryeministrit të atëhershëm.
Edhe sot, asistojmë në një plakje dhe një batërdi e shëmtuar e babëzisë korruptive dhe kemi para sysh, një kryeministër të pafuqishëm, për të kapur penelin e vet dhe për të pastruar sadopak njollat që ndosin tabllonë e tij qeverisëse.
Sepse kompromiset e mjerushme që ai ka bërë dhe bën me ta, kompromise favoresh politike apo që lidhen me paranë e tyre, si edhe lufta politike, e ka ulur nivelin e bashkëpuntorëve të tij, nga dita në ditë.
Fillimisht, sigurisht që i zgjidhte vetë, ministrat meshkuj, përgjithësisht gjysëm hutaqë, jo të nurshëm apo thuthuqë. Sepse fillimisht, ai qëndiste me kujdes estetik muralen e panoramës: “Qeveria Rama”, si ish piktor i kujdesshëm, sot gjysëm sulltan me tepsi e kazan, dhe i ruante vetes, vendin e protagonistit pa rivalë.
Sigurisht ai ja kalon atyre, jo vetëm në gjatësi, por edhe në mprehtësinë mendore dhe aftësinë komunikuese, por edhe kjo aftësi e talent, është tashmë në konsum të shpejtë. Kryeshefi del dhe pastron rast pas rasti bajgat e hedhura aty këtu nga gafat qeverisëse dhe korrupsioni, duke besuar shumë mbi çduhet te aftësitë e tij, si lavatriçe që shplan trutë e popullit të vet mjeran.
Sepse sado mjeran ky populli, nuk hyn dot në lavatriçe të Ramës, me shpresën dhe pritshmërinë e parë të vitit 2013.
Tani që superministrat, mbajnë në zyra, pas manisë së parë për mobilje të shtrenjta dhe sekretare të kolme, edhe makina që numurojnë lekët, ai informohet, por vetëm rri dhe vështron duke rrudhur vetullat apo duke tundur kokën i pafuqishëm për zullumllëkun që e rrethon. T’mos flasim pastaj për veset perverse dhe putanëritë e padëgjuara, që dëgjojmë si një diare thashethemesh, nga korridoret e godinave qeveritare.
Le tja lemë lirisë së individit këtë, me veglat e tyre të bëjnë çtë duan, edhe me veglat e shefave, vartësve apo të komshinjve. Punë e tyre.
Qeverisja është çështja!
Erdhi në pushtet me një kartë morale alternative, të cilën e shkeli, ditë pas dite në mënyrë të pahishme, duke u bërë hyzmeqari i pasunarëve.
Me tezën, servirur në mënyrë të rreme, se oligarkët hapin vende pune. Paçka se vjedhin taksat, energjinë elektrike apo paçka se fusin duart në tendera dhe largojnë sipërmarrësit e huaj seriozë, duke vendosur një rregjim monopli që në të vërtetë e rrënon ekonominë.
Madje edhe vetë komunikimi që ai bën në publik, herë me qeshje të shtirur dhe herë me vetullën e ngritur hark, si një gjahtar rrethuar nga plot zagarë, është bërë dita ditës më i rëndomtë.
Lungomarja e Vlorës, u përmbyt nga shiu dhe nga marrëzia e projektuesve.
Në çdo kënd të Shqipërisë, përmbytjet prodhojnë drama familjare rrënqethëse, ndërkohë që kabineti zhduket në fundjavë dhe udhëton në biznes, për të shijuar jetën në vende normale apo për të nxirë edhe në dimër, kofshë e bythë, ndërkohë që mjerimi bën kërdinë.
E bukura është se shpesh takohen te Vipi i Rinasit, me deputetë të kamur të Opozitës dhe shkelin syrin, kur kamarjerët u shërbejnë kafenë, që të ruajnë faqe botës, “armiqësinë” politike apo morale, aty ku s’ka në të vërtetë, asnjë moral alternativ.
Milionerët duan të shijojnë jetën dhe skanë kohë të humbin me skllevërit e çifligut Shqipëri, vari trapin përmbytjeve…
Njerëzia kanë të vetmen rrugëdalje, valixhen dhe biletën: Për ta provuar njëherë fatin diku tjetër…/360grade.al/

EMISIONET