Mediat greke kanë publikuar pamjet kur të arrestuarit për 1.6 ton kanabis janë transportuar për në komisariat.

Të arrestuarit janë edhe 4 shqiptarë, 2 prej të cilëve skafistë në gomonen që u kap me 1,6 ton drogë dhe që ishte nisur nga Himara.

Mediat raportojnë se një rol kyç në trafikun e drogës ka luajtur edhe një biznesmen grek 63 vjeç, i cili ka financuar grupin që po transportonte lëndën narkotike.

Operacioni për kapjen e gomones me drogë u zhvillua dy ditë më parë, ndërkohë që gjatë ndjekjes trafikantët kishin hedhur në det paketa me drogë, armë dhe sende të tjera që mund të shërbenin si prova rënduese.

Paralelisht me këtë operacion në zona të ndryshme të Athinës u zhvilluan disa kontrolle, ku u arrestuan shtatë persona të tjerë, katër prej të cilëve shqiptarë, një italian, një bullgar dhe një grek. Në mesnatë po ashtu është arrestuar dhe një biznesmen i njohur, ndërsa u sekuestrua një tjetër gomone, me katër motorë 350 kuaj fuqi, si dhe armë.

Policia greke e ka cilësuar operacionin si asgjësim të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, duke thënë se kishte informacionin e plotë për një gomone e cila u nis prej Greqisë për të marrë lëndën narkotike në Shqipëri. Krahas anijeve të policisë bregdetare për kapjen e saj u mobilizuan helikopterë të agjencisë evropiane Frontex, si dhe snajperë të forcave speciale.


/Ora News.tv/