PS: Basha pagoi 1 mln dollarë nga parajsat fiskale për kompaninë lobuese

PS: Basha pagoi 1 mln dollarë nga parajsat fiskale për kompaninë

Partia Socialiste i kërkoi prokurorisë që të hetonte mbi kontratën lotuese të Partisë Demokratike, duke theksuar se shuma prej 1 mln dollarë është paguar nga parajsa fiskale. Deputetja Klotilda Bushka i drejtoi disa pyetje kreut demokrat Basha, ndërsa se shuma është përdorur për lajme të rreme në dëm të vendit.

Deklarata e plotë e deputetes Bushka:

Përballë provave të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, që ka dokumentuar se me firmën e Lulzim Bashës, një milion dollarë janë paguar nga parajsat fiskale drejt lobuesve amerikanë, Basha zgjedh përsëri të gënjejë.

Në përgjigjen e saj, PD fillimisht sulmoi mediat, e më pas, përballë fakteve kokëforta, dje na tha se pavarësisht këtij skandali, “Edi Rama ka bërë më keq”.

Se kush është më mirë ose më keq, këtë shqiptarët e gjykuan në 25 qershor.

Ajo që PD duhet të bëjë tani, është të japë përgjigje për pothuajse një milionë dollarë, para të pista, që me firmën e vetë Lulzim Bashës, janë transferuar nga parajsat fiskale në vetëm tre muaj, nga marsi në qershor 2017.

Sot Lulzim Basha, ka detyrën ligjore, meqë moralisht nuk do t’ia dijë, që të dalë përpara qytetarëve dhe të japë shpjegime për origjinën e këtyre parave.

Lulzim Basha duhet të përgjigjet:

Kush i pagoi këto para?

Nga erdhën këto para?

Cili është burimi i tyre?

Kryetari i Partisë Demokratike, njeriu që e ka kuptuar misionin e opozitës si një mision shpifjesh të përditshme ndaj qeverisë, duhet të shpjegojë se cilat janë lidhjet e këtyre parave me drogën.

Basha duhet të shpjegojë gjithashtu se si Partia Demokratike mashtroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke fshehur plot një milionë dollarë.

Në deklaratën e saj të firmosur për KQZ, Partia Demokratike ka deklaruar vetëm 580 milionë lekë të vjetra shpenzime për fushatë. Përjashtimi i një milion dollarëve nga kjo deklaratë është një shkelje penale, për të cilën përgjegjësia e vetme bie mbi Lulzim Bashën.

Janë plot një milion dollarë para të pista, të cilat Basha i përdori për të porositur lajme të rreme në dëm të vendit dhe për të krijuar “farsën” se ndërkombëtaret mbështesnin bojkotin dhe dhunën e propaganduar nga çadra.

Ky është një skandal, që nuk mund të kalojë në heshtje, ashtu siç Basha është mësuar të bëjë, kur si ministër i fali 300 kilometra katrorë det Greqisë apo kur dha urdhërin për të vrarë katër qytetarë të pafajshëm në 21 janar.

Ai, nuk mund të fshihet më, siç bëri me Rrugën e Kombit, kur iu shmang drejtësisë me një raport mjeku.

Ndaj, Partia Socialiste i bën edhe një herë më shumë thirrje organeve të drejtësisë, që të vendosin një standard të ri dhe të vazhdojnë deri në fund, me vendosmëri, hetimet për këtë skandal që hedh dritë mbi mënyrën se si PD përdor paratë e drogës për të blerë vota në Shqipëri.

EMISIONET