Protestat në Hong Kong, Kina është gati të ndërhyjë me forcë

Protestat në Hong Kong, Kina është gati të

Kina paralajmëron se nëse Hongkongu nuk do arrijë vetë të rikthejë rendin publik dhe protestat e dhunshme do të përshkallëzohen, mund të ndërhyjë forcërisht në vend. Tensionet mes rajonit gjysmautonom dhe Pekinit po shqetësojnë edhe Uashingtonin, i cili fton Presidentin kinez ta zgjidhë konfliktin me negociata.

Kina po sheh mundësinë e ndërhyrjes me forcë për të shuar valën e protestave që kanë mbërthyer prej muajsh rajonin e saj gjysmautonom të Hongkongut.

"Pekini deri tani ka vendosur të mos ndërhyjë forcërisht kundër manifestimeve të dhunshme, por opsioni është në dispozicionin tonë," informoi gazeta zyrtare e partisë në pushtet.

"Mijëra policët e armatosur dhe automjetet e blinduara të parkuara në kufi me qytetin janë një paralajmërim i qartë për dhunuesit. Nëse nuk sigurohet rendi publik dhe protestat do të intensifikohen, qeveria qendrore do të duhet të veprojë," shtoi mediumi i Partisë Komuniste.

Zyrtarët kinezë thanë të premten se aktet e dhunshme po përshkallëzohen me kalimin e javëve, duke kaluar nga sulmi ndaj forcave të policisë, te bllokimi i trafikut aeroportual, kërcënimi i qytetarëve apo përdhosja e flamurit dhe stemës shtetërore.

Tensionet e ditëve të fundit kanë shqetësuar edhe administratën amerikane.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se do të flasë në telefon me homologun kinez, Shi Xhinping, për t'i kërkuar që të ulet dhe të negociojë për kërkesat e protestuesve.

Tre demonstrata të tjera pritet të mbahen ditën e shtunë në qendrën e Hongkongut.

Protestat, dhe një manifestim më masiv ditën e diel, sipas organizatorëve kanë për qëllim të tregojnë mbështetjen që ende gëzojnë kauzat e tyre për reforma demokratike dhe anulimin total të ligjit të ekstradimeve.

EMISIONET