Prokuroria turke ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit ndaj të pandehurve Mustafa Erdem dhe Yusuf Karabina, të cilët në 2018 u dëbuan nga Kosova në një operacion, pa dijeninë e Ramush Haradinajt atëherë kryeministër.

Këta dy persona, së bashku me 4 të tjerë, u sollën nga Agjencia Kombëtare turke nga Kosova në 29 mars të vitit 2018, të akuzuar si gylenistë.

Ankara pretendon se gjashtë burrat ishin anëtarë të lëvizjes së Fethullah Gylenit, klerikut turk me qëndrim në SHBA.

Para dy vitesh prokuroria kërkoi 22.5 vite burg për Erdemin, ndërsa për Karabinën 15 vite.

Në seancën dëgjimore ne gjykata kanë marrë pjesë dy të pandehurit, si dhe avokatët e tyre. Vetë të pandehurit kërkuan kohë, ndërsa gjykata vendosi vazhdimin e paraburgimit të tyre, duke e shtyrë datën e seancës për një datë tjetër.

Gjashtë të arrestuarit ishin krerët dhe profesorët e Institucioneve Arsimore “Gulistan” dhe kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë.

Zëvendësdrejtori i këtij institucioni, Yusuf Karabina është arrestuar gjatë rrugës duke shkuar në punë, në prani të familjarëve të tij.

Po ashtu, janë arrestuar edhe dy profesorë Cihen Ozkan dhe Hasan H. Gunakan si dhe Drejtori i Kolegjit në Gjilan, Kahraman Demirez.

Drejtori Gjeneral i “Gulistan”, Mustafa Erdem ishte arrestuar kur kishte shkuar në polici për të marrë informacione për të lartëpermendurit.

Gjithashtu, u arrestua edhe profesori turk i kardiologjisë, Osman Karakaya, i cili ishte larguar nga Turqia pasi ishte i përndjekur nga qeverisja Erdogan në Turqi.

Sipas qeverisë turke, Institucionet Arsimore “Gulistan”, të cilat operonin me katër shkolla fillore dhe të mesme “Mehmet Akif” në Kosovë, janë të lidhura me lëvizjen e Fetullah Gylen. Ky i fundit akuzohet nga qeveria e Recep Tayyip Erdogan se ka organizuar puçin e 2016-s në Turqi.

DW: Ekstradimi i gjashtë turqve mund të ketë pasoja për Kosovën



/Ora News.tv/