Çështja që po diskutohet më tepër mes palëve politike është ajo e reformës zgjedhore. Ditët e fundit ambasadorja amerikane ka propozuar sistemin danez për Shqipërinë, por kreu i PD, Lulzim Basha thotë se nuk është në dijeni për këtë.

Sa i takon listave, kryedemokrati u shpreh pro listave të hapura dhe ndryshim sistemi, por sipas tij asgjë nuk do të ketë kuptim sa kohë është Edi Rama.

Pyetje: Kur dhe si do të largohet Edi Rama? A do të uleni sërish në tryezën e reformës zgjedhore?

Lulzim Basha: Partia Demokratike dhe Opozita kanë patur dhe kanë treguar vullnet për Reformën Zgjedhore pikërisht sepse duhet që një orë e më parë shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit. Sot nuk është përgjegjësia e jonë. Me atë që ndodhi me 17 maj Partia Socialiste dhe Edi Rama kanë hedhur në erë besimin në një proces që pa besim nuk është asgjë. Opozita nuk mund të jetë fasadë, përgjegjësia është e Edi Ramës.

Pyetje: A e keni parë propozimin amerikan për sistemin zgjedhor?

Lulzim Basha: Nuk kam parë asnjë propozim amerikan për sistemin zgjedhor.

Pyetje: Propozim për sistem danez zoti Basha?

Lulzim Basha: Jua dhashë përgjigjen.

Pyetje: Lista të hapura ju jeni dakord?

Lulzim Basha: Ne do të jemi gati për lista të hapura dhe ndryshim sistemi, ju e dini idenë time për maxhoritar të pastër dhe dy dhoma, për kufizimin e mandateve të deputetëve, kryeministrit, por asgjë nuk do të ketë kuptim sa kohë që kujdestare e zgjedhjeve është hajdutja e zgjedhjeve dhe hajduti i zgjedhjeve Edi Rama.

Pyetje: Ka një kërkesë nga Gjiknuri për zotin Bylykbashi dhe zotin Vasili për të shkuar në tryezë, do të jenë përfaqësuesit e opozitës?

Lulzim Basha: Besoj përgjigjen e morët të plotë dhe shteruese nga ajo që ju thashë.

/Ora News.tv/